2016, 2017, 2018… a është kjo skuadër e Real Madridit më e mira në histori të futbollit

Real Madrid është kampion i Evropës për sezonin 2017/2018.

Sport

26/05/2018 22:37

Finale tjetër, histori e njëjtë. Real Madrid mbetet skuadër për t’u mposhtur në Evropë.

Skuadra e Zinedine Zidane ka arritur të fitojë titullin e 13-të në histori të klubit në Ligën e Kampionëve, duke e mposhtur 3:1 Liverpoolin në finalen e madhe që u zhvillua në Kiev të Ukrainës.

Ky ishte titulli i tretë më radhë për Real Madridin në këtë garë, diçka që asnjë skuadër nuk e ka arritur në të kaluarën.

kosdh

Liverpool ishte dominues në minutat e parë të ndeshjes.

Atyre iu tregua edhe rasti i parë serioz në minutën e 7′, kur Mane vuri në vështirësi të mëdha portierin Navas.

U deshtë të pritet minuta e 15’ për të parë Cristiano Ronaldon, që rrezikoi nga krahu i djathtë me një goditje të fuqishme.

Liverpool u shfaq i rrezikshëm edhe në minutën e 22’, por goditje e papërshtatshme të Arnold arriti ta ndal Keylor Navas.

Momenti më dramatik në pjesën e parë u pa në minutën e 30’, kur Mohamed Salah u detyrua të largohet nga loja pas një lëndimi që pësoi në krahun e majtë.

Egjiptiani lëndoi krahun pas një dueli që kishte me Ramos, duke mos pasur mundësi të vazhdonte ndeshjen, për ta lëshuar me lot në sy fushën e stadiumit Olimpik të Kiev.

Pak minuta më vonë, me lot në sy nga fusha doli edhe Dani Carvajal i Real Madridit, që po ashtu nuk ia doli të vazhdonte ndeshjen.

Dalja e Salah uli ritmin e lojës së Liverpoolit në sulm, duke e kaluar atë të Real Madrid.

Skuadra e Zinedine Zidane u tregua e rrezikshme në disa momente në fund të pjesës së parë, por pa arritur të gjente rrjetën e portierit të Liverpoolit.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola (0-0).

Ndryshe nga pjesa e parë, fillimi i pjesës së dytë i takoi Real Madridit.

Presioni i bërë në këto minuta solli edhe golin e epërsisë për Real Madridin, kur në minutën e 51’ shënoi përmes Benzema, pas një gabimi amator të portierit të Liverpoolit.

Festa e Real Madrid nuk zgjati shumë, pasi katër minuta më vonë Liverpool barazoi në 1:1.

Ishte Mane që shënoi golin e barazimit pas një topi të pranuar me kokë nga Van Dijk, i cili kërceu më së larti në zonën e Realit pas një harkimi nga krahu.

‘Madrilianët’ arritën ta rikthejnë shpejtë epërsinë në 2:1 me një gol të jashtëzakonshëm nga Gareth Bale në minutën e 64’, i cili kishte vetëm tre minuta në fushë pas inkuadrimit në minutën e 61’.

Pas golit të Bale, Liverpool nisi sulmet në drejtim të portës së Realit. Mane u bë sërish protagonist, kur në minutën e 69’ goditi shtyllën.

Kjo ishte e gjitha për Liverpoolin, pasi Real Madrid vulosi fitoren në minutën e 83’ të ndeshjes, kur Gareth Bale shënoi golin e dytë të tij në këtë ndeshje dhe të tretin për skuadrën e tij.

Edhe te goli i Bale, figurë tragjike ishte portieri Karius që bëri një tjetër gabim në perceptimin e topit.

Në fund, REAL MADRID 3:1 LIVERPOOL./Lajmi.net/