2014-ta, me bilanc negativ në investimet e huaja dhe kapitale

104.6 milionë euro ishte vlera e investimeve të huaja direkte (IHD) në Kosovë në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar.

Lajme

12/03/2015 21:03

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të publikuar në raportin Vlerësimi i ekonomisë, për 9 muaj kjo vlerë e investimeve paraqet një rënie të konsiderueshme krahasuar me vlerën prej 197.8 milionë eurosh në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Kjo rënie e investimeve të huaja, sipas BQK-së, mund t’i atribuohet kryesisht shitjes së aksioneve të disa prej kompanive të huaja që operojnë në Kosovë te rezidentët kosovarë, si dhe shpërndarjes së superdividendës së disa prej kompanive të huaja që operojnë në Kosovë.

Norma reale e rritjes ekonomike në Kosovë për vitin 2014, sipas vlerësimeve të BQK-së, ishte 3 për qind.

Rritja për vitin 2014 bazohet kryesisht në vlerësimet për rritjen e konsumit, ndërsa investimet dhe neto eksportet vlerësohet të kenë kontribuar negativisht. Për vitin 2015, pritet që ekonomia e Kosovës do të karakterizohet me përshpejtim të rritjes ekonomike, e cila pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme dhe sidomos nga investimet.

Sipas të dhënave të BQK-së, vlera e remitancave të pranuara në vend në nëntë muajt e parë të vitit 2014 arriti në 505.6 milionë euro, që përkon me një rritje vjetore prej 11.2 për qind.

Të dhënat deri në dhjetor 2014 paraqesin një rritje më të lartë të konsumit, i cili është ndikuar nga rritja e kredive konsumuese, rritja e pagave dhe mëditjeve të sektorit publik, pastaj subvencioneve dhe transfereve, etj.

Gjithashtu, rritjen e konsumit e kanë përkrahur edhe remitancat, të cilat deri në shtator 2014 kanë shënuar rritje prej 11.3 për qind.

“Në anën tjetër, investimet publike në vitin 2014 kanë shënuar rënie prej 22.3 për qind, ndërkohë që edhe investimet e huaja direkte (IHD) deri në shtator kanë shënuar rënie për 44.7 për qind”, thuhet në raportin e BQAK-së.

Rënia e investimeve publike, sipas vlerësimeve të BQK-së, e cila i atribuohet kryesisht zhvillimeve politike lidhur me formimin e institucioneve, ka bërë që rritja reale e PBB-së të jetë më e ulët krahasuar me vitin paraprak.

Aktiviteti i sektorit privat është përkrahur edhe nga kreditë e sistemit bankar të cilat në fund të vitit 2014 kanë përshpejtuar ritmin e rritjes.

Po ashtu edhe investimet kapitale, të cilat në vitin 2014 përfaqësuan rreth 28.1 për qind të gjithsej shpenzimeve, shënuan vlerën prej 411.4 milionë euro që paraqet rënie prej 22.3 për qind.

“Zvogëlimi i investimeve kapitale i adresohet përfundimit të projektit të autostradës R-7, e cila në vitin paraprak ka qenë në implementim e sipër. Përveç përfundimit të projektit të autostradës R-7, vonesa në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit 2014 ndikuan në shtyrjen e realizimit të një pjese të projekteve kapitale”, thuhet në raport.

Ndërsa , sipas vlerësimeve të raportit, shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime kanë shënuar rënie për 3.6 për qind dhe kanë arritur vlerën prej 205.8 milionë euro.

Në anën tjetër, shpenzimet qeveritare për paga dhe mëditje kanë shënuar rritje prej 17.3 për qind dhe kanë arritur vlerën prej 485.2 milionë euro, që është kryesisht rezultat i vendimit të qeverisë për ngritjen e pagave.

Po ashtu borxhi publik, në fund të vitit 2014, ka arritur në 582.9 milionë euro nga 476.3 milionë euro sa ishte në vitin paraprak, ndërsa si përqindje e PBB-së ka arritur në 10.6 për qind nga 9.1 për qind sa ishte në vitin paraprak.