1.2 milion euro për 1 muaj lobim për INTERPOL: Si do të shpenzohen këto mjete, tregon MPB-ja

Këtë vit Republika e Kosovës pret të bëhet anëtare e INTERPOL-it.

Lajme

19/10/2018 19:08

Tashmë ka mbetur vetëm një muaj nga data përfundimtare, 20 nëntori, për anëtarësimi i Kosovës në organizatën ndërkombëtare të INTERPOL-it.

Në mënyrë që të bëhet sigurimi i votave për anëtarësim përmes lobimit, Qeveria në mbledhjen e sotme ka ndarë 1.2 milionë euro.

Por mënyrën se si do të bëhet ndarja e menaxhimi i mjeteve, apo edhe prej kujt ka ardhur kjo kërkesë, për lajmi.net tregoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj.

Xhemajlaj sqaroi se kërkesa për mjete u bë nga ekipet në terren në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Qeveria i ndau mjetet për lobim në INTERPOL në mënyrë që të pranohemi më datën 20 nëntor, e cila është edhe data e fundit për anëtarësim në këtë organizatë. Ka kohë që ekipet lobuese janë në terren, pavarësisht se nuk është shumë e madhe kjo punë, por ekipet janë dhe duhet ta japin maksimumin deri në mbajtjen e takimit në Dubai”, tha Xhemajlaj.

Sipas tij, ky lobim do të përfundojë me sukses në muajin nëntor.

Vlen të theksohet se Kosova edhe vitin e kaluar ka aplikuar për anëtarësim në INTERPOL, por nga pasiguria se do të mund të siguroheshin votat e mjaftueshme, Kosova tërhoqi kandidaturën.

Çështja e pranimit të saj ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin. /Lajmi.net/