​Pas reshjeve në Gjilan u intervenua në shumë lokalitete

Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të qytetit e fshatra, ndërsa Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe për Mbrojtje dhe Shpëtim është vazhdimisht në terren për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

Lajme

28/03/2015 19:44

Sokol Haziri, drejtor i Shërbimeve Publike, ka thënë se gjatë ditës së sotme është intervenuar në fshatin Kuvcë e Epërme, ku situata ka qenë më e vështirë për shkak të daljes nga shtrati i proçkës, meqë rast kanë arritur ta evitojnë problemin.

Ai tha se është intervenuar poashtu edhe në rrugën e Bujanocit tek objekti i gjykatës, në pjesën e poshtme të lagjes “Reshat Ymeri”, pastaj në fshatin Shillovë i banuar nga komunitetit serb më saktësisht te shkolla e fshatit, në Livoq të Poshtëm etj.

Drejtori Sokol Haziri tha se pas intervenimeve të Komunës dhe pas gatishmërisë së kompanisë “Magjistralja”, e cila ka vënë në dispozicion resurset e veta falas, gjendja për momentin është stabilizuar.

Komuna e Gjilanit apelon tek qytetarët që për çdo problem që iu shfaqet si pasojë e reshjeve të shiut të lajmërohen në numrat emergjent dhe do t’u dalë në ndihmë me të gjitha kapacitetet e saj.