​Maqedoni: Dhjetëra titullarë partiakë me makina dhe mbrojtje policore

Dhjetëra funksionarë të VMRO-DPMNE-së dhe të Qeverisë kanë shfrytëzuar automjete dhe sigurim nga MPB-ja, vetëm me urdhër gojor dhe pa vendim sepse privilegjet u kanë qenë të domosdoshme. Skandalin e zbardhi, ministri i brendshëm Oliver Spasovski, bashkë me listën e personave të cilëve u janë mundësuar këto privilegje.

Lajme

07/12/2015 18:08

Mes personave që kanë shfrytëzuar automjete dhe sigurim janë:

Kiril Bozhinovski – Sekretar i përgjithshëm i Qeverisë
Emil Dimitriev – Deputet dhe sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së
Mihajlo Manevski – Ish ministër i Drejtësisë
Martin Protugjer – Këshilltar i Kryeministrit
Goce Gjukleski- Qendra koordinuese nacionale
Johan Tarçullovski – ish-i dënuar për “Lubotenin”
Amdi Bajram- deputet

“Këto janë lëshime procedurale serioze që tregojnë faktin se në Maqedoni, partia nuk është e ndarë nga shteti. MPB-ja nuk ka qenë e Maqedonisë por e VMRO DPMNE-së. Kjo është e paligjshme, jashtë të gjitha autorizimeve ligjore, vetëm me urdhër gojor nga ana e autoriteteve. Do të shqyrtohen të gjitha indikacionet. Bëhet fjalë për dyshime për tejkalimin e kompetencave që kanë dëmtuar MPB-në. Qindra njerëz janë angazhuar për sigurim me vendime subjektive, dhe ësh të konstatuar keqpërdorim në afat prej 24 orësh të automjeteve zyrtare, ndërsa shërbimet operative dhe inspektoratet nuk kanë automjete ose shërbehen me automjete të vjetra”, deklaroi Oliver Spasovski.

Sipas Spasovskit, nga këto vendime llogariten dëme të mëdha materiale të shkaktuara, ndërkohë që është lëshuar urdhër që automjetet t’i kthehen urgjentisht policisë. Në përgjegjësi është thirrur edhe ish shefi i Drejtorisë së gjashtë i cili u zëvendësua para ardhjes së Spasovskit. Pikërisht ai, sipas ministrit të ri, ka dhënë urdhër gojarisht për ndarjen e automjeteve si dhe sigurimit për këta persona. Automjete të MPB-së dhe sigurim policor ka shfrytëzuar edhe ish ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov. Por, sipas Spasovskit, kjo u ka takuar ligjërisht edhe në rastin e tyre, edhe pse, edhe në këto raste, duhet të ketë vendime justifikuese, të miratuara në bazë të vler ësimit të rrezikut ndaj sigurisë së tyre./Alsat-M/