​Haliti e Dërguti vazhdojnë takimet ne Strasburg

Delegacioni i Kuvendit u takua me anëtarët e delegacionit zviceran në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe me kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KE-së, Mogens Jensen.

Lajme

22/06/2016 17:56

 

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, është duke vazhduar pjesëmarrjen në punimet e Sesionit të tretë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg të Francës.

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës është takuar sot me anëtarët e delegacionit zviceran në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të udhëhequr nga Liliane Maury Pasquier, kryetare e Komisionit për Rregullore, Imunitete dhe Çështje Institucionale si dhe Anëtare e Byrosë dhe Komisionit të Përhershëm.

Gjatë këtij takimi, delegacioni i Kosovës i kërkoi delegacionit të Zvicrës mbështetje në përpjekjet për avancim të statusit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Njëherazi në takim diskutua edhe për çështjen e pensioneve të shtetasve të Republikës së Kosovës në Zvicër, të cilët janë viktimë e marrëveshjeve të mëhershme me federatën jugosllave dhe u darkorduan që sa më parë të nënshkruhet marrëveshja e re me Republikën e Kosovës lidhur me këtë çështje.

Po ashtu, delegacioni i Kuvendit të Kosovës është takuar sot edhe me Mogens Jensen, kryetar i Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me ç’rast u bisedua që të avancohet statusi i delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në bazë të Rezolutës të Këshillit të Evropës 2094 (2016), Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës të datës 28 janar 2016./lajmi.net

2016_6_22_Strasburg_1 2016_6_22_Strasburg_2