Zyrtarja e lartë e AKR’së kërkon dorëheqjen e Rektorit

Shtohen zërat që kërkojnë dorëheqjen e Rektorit të UP'së, Ibrahim Gashi. Pos studentëve protestues, dorëheqjen e tij po e kërkon edhe Shefja e Grupit Parlamentar të AKR'së, Myzejene Selmani. Ajo thotë se nuk e di çka po pret ende Gashi që s'po jep dorëheqje.

Lajme

29/01/2014 10:55

Nuk janë vetëm studentët që po protestojnë ata që po kërkojnë dorëheqjen e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, pas skandalit të fundit që plasi me botimin e punimeve shkencore në revista të rrema shkencore.

Dorëheqjen e ish Nënkryetarit të Aleancës për Kosovën e Re, Ibrahim Gashi, i cili ishte edhe Këshilltar i Presidentit të kësaj partie, Behgjet Pacolli, po e kërkon edhe ish bashkë-partiakja e tij, Myzejene Selmani.

Shefja e Grupit Parlamentar të AKR’së, pjesë e koalicionit qeveritar, thotë se pas gjithë asaj që ka ndodhur me skandalet në Universitetin e Prishtinës është etike dhe shumë e moralshme dorëheqja e tij.

“Ajo është çështje morale dhe etike e tij si njeri akademik dhe si profesor i Universitetit të Prishtinës dhe mbas të gjithë atij skandali që po ndodh brenda Universitetit është shumë e moralshme që njerëzit akademik, me tituj akademik të tërhiqen”, thotë Selmani për lajmi.net.

Ajo thotë se nuk e di çka po pret Gashi që s’po jep dorëheqje.

Selmani thotë se policia duhet me çdo kushte të tërhiqet nga dyert e Universitetit ‘Hasan Prishtina’.

“Ai është vend i dijes dhe i studentëve” .

“Te ndalohet dhuna ndaj studentëve kjo është turpi botës çka po ndodh në UP. Dorëheqja është akti më i lartë moral i njeriut e mos te flasim për këta, akademik tanë”.

“Studentët janë Qeveria, Kuvendi i ardhshëm i Kosovës dhe organet e rendit t’i mbajnë duart largt nga studentet tanë”.

Sipas deputetes Selmani , Rektori Gashi duhet të jap dorëheqje dhe jo të na sjell në situata kur policia përplaset me studentët para zyrës së tij.

“Është shumë etike dhe e moralshme që të tërhiqen njerëzit të cilët nuk e kanë vendin në Universitet”.

“Një person, një akademik, nuk e sjell rininë e Kosovës që të përplaset me Policinë sepse ata janë policia jonë. Universiteti ka qenë çdo herë reformator në procese të mëdha politike”.

“Ata duhet të kuptojnë se janë aty për studentë dhe nuk janë vetëm për pagat që i marrin”.

“Universiteti është vend i dijes e jo vend ku përplasen studentët me organet e rendit”.

Myzejene Selmani thotë se apelon që të ndalet dhuna ndaj studentëve.

“Ata janë fëmijët tanë, e ardhmja e Kosovës”.

“Unë nuk kam të drejtë të ndërhyjë në Gjyqësor e as në Polici, por si deputete bëj apel që të ndalet dhuna”.