Zyrtari i MPJD-së thotë se kishte shkelje ligjore në emërimin e zyrtarëve, përplasje pozitë-opozitë

Me përplasje dhe akuzave në mes pozitës dhe opozitës është zhvilluar mbledhja e Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në të cilën ishte i intervistuar ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe…

Lajme

05/07/2024 13:37

Me përplasje dhe akuzave në mes pozitës dhe opozitës është zhvilluar mbledhja e Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në të cilën ishte i intervistuar ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma.

Përplasja erdhi pas pyetjes së deputetit nga partia në pushtet, Haxhi Avdyli, i cili ka pyetur për konkursin e vitit 2011, në të cilin sipas tij, kishte shkelje ligjore. Për këtë, Isma ka deklaruar se konkursi i vitit në fjalë ku janë punësuar disa diplomatë nga ministria e udhëhequr në atë kohë nga ish-ministri, Enver Hoxhaj, nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, është konstatuar se ata nuk janë pranuar në bazë të ligjit për shërbimet e jashtme dhe ligjit për shërbimin civil.

“Ky komision është ngrit edhe për tërheqjen e disa diplomatëve që janë bërë në vitin 2022, dhe arsyeja gati gjithë kësaj ka qenë ky komision të themelohet, pse keni tërheq disa diplomatë në vitin 2022 të cilët janë emëruar në vitin 2011, kush e ka mundësuar pranimin e tyre, me çfarë ligji janë pranuar, dhe a ka dhënë ndonjë vendim këshilli i pavarur mbikëqyrës i shërbyesve civil rreth kësaj tërheqje, dhe në bazë të asaj a është konstatuar ndonjë shkelje. Rreth këtyre tërheqjeve ka pas pluhur shumë. Kur janë emëruar këta a kanë pas garancinë se këta do të kthehen pas mbarimit të misionit në MPJ. A keni ndërmarrë hapa konkret për këtë konkurs të vitit 2011, se e di që keni marrë hapa, por duke ditë se këtu ka shkelje të renda të ligjit, a e keni drejtuar edhe këtë në prokurori, nëse po, a keni marrë përgjigje rreth emërimit të këtyre diplomatëve që edhe pas një kohë të gjatë kanë marrë pagesa, si janë rregulluar ato. Sepse kjo shkelje është bazë për një hetim më të madh, a keni pas guximin që për atë periudhë t’i adresoni në prokurori ketë konkurs”, ka thënë Avdyli.

Për këtë, Behar Isma ka thënë se edhe Këshilli e konfirmon se këta nuk janë pranuar më bazë të ligjit për shërbimet e jashtme dhe ligjit për shërbimin civil. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka vlerësuar si kundërligjore këto sistemime edhe në shumë raste.

“Përmes procedurave të këtij konkursi del se janë propozuar disa kandidatë të cilët janë jashtë dispozitës ligjore, ministri i asaj kohe kishte përzgjedhur persona konkret të cilëve u ka lëshuar vendim për t’i dërguar në misione diplomatike. Parazgjedhja e tyre dhe vendimi i lëshuar për ta është bërë sipas praktikës së ngjashme me atë që bëhen emërime dhe angazhime të emëruarve politik. Vendimi për angazhimin e tyre në mision, duke pas si referencë atë konkurs, përmban vendimin, gradën, misionin, si dhe pagën në të njëjtën vendim. Se ky konkurs dhe kjo procedurë e dërgimit të emëruarve politik me vendim të ministrit nuk ka qenë as për së afërmi në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbyesit civil, të cilët edhe e ka bërë vlerësimin Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil në disa vendime të tij…Me rastin e kthimit nga misioni, një pjesë e tyre janë sistemuar në ministri dhe kanë udhëhequr me departament. Edhe Këshilli e konfimon se këta nuk janë pranuar në bazë të ligjit për shërbimet e jashtme dhe ligjit për shërbimin civil. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka vlerësuar si kundërligjore këto sistemime edhe në shumë raste”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarja e këtij komisioni, Time Kadrija ka pyetur nëse pozicioni i tij u mbështetet ligjërisht.

“A është me ligj mbajtja e pozicionit UD si sekretar për dy vjet? Ku mbështet ligjërisht avancimi i juaj me mbi 100% rritje e koeficientit, në çfarë baze ligjore, ku bazohen ligjërisht gradat që keni dhënë dhe pesë gradat tuaja që keni marrë në prill të këtij viti? “, tha ajo.

Isma ka theksuar se për pozicionin e tij nuk ka shkelje ligjore.

“Çështja e avancimit tim dhe pozicionimi që mbaj. Në bazë të rregullores në fakt, vendimin e qeverisë për themelimin e akademisë diplomatikë në kuadër të MPJD, është në diskrecionin i ministrit të vlerësojë dhe caktojë drejtor të akademisë. Ndërkaq prej atij pozicioni me 10 janar 2022, jam caktuar si UD i sekretarit të përgjithshëm i MPJD, vlerësimi im është që kjo pozitë është mbajtur konform ligjit dhe rregullave…Sa i përket çështjes së gradave, janë të rregulluara me rregulloren për shërbimin e jashtëm dhe vlerësoj se sipas këtij ligji dhe kësaj rregullore nuk ka asnjë kufizim në përcaktimin e gradës së parë të diplomatëve që janë të punësuar në MPJD, dhe vlerësoj se çdogjë ka qenë konform rregullave”, tha Isma.

Pyetje në ketë drejtim pati edhe deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.

“Ju jeni emëruar nga ministrja Gervalla, UD i sekretarit të përgjithshëm të MPJD. Jam i bindur që njihni shumë mirë legjislacionin për zyrtarët publik që jep të drejtat e UD ku thuhet se zyrtari publik nuk mund të caktohet UD më gjatë se gjashtë muaj, ky afat nuk mund të zgjasë më së shumë se aq……Sa kohë keni mbajtur detyrën e UD…Sa departamente të MPJD keni udhëhequr ju në mungesë të emërimit të drejtorëve dhe për sa kohë?”, ka pyetur Musliu-Shoshi.

Isma ka thënë se në raport nuk ka asnjë të gjetur mbi bazën e të cilave që mund të thuhet se vendimi ka qenë në kundërshtim me ligjin.

Pas kësaj, deputeti Haxhiu ka kërkuar të mbahet rend, pasi sipas tij, duhet më shumë rregull në mbarëvajtjen e komisionit.

“Ta mbajmë një rend sepse ky Komisioni është i Parlamentit të Kosovës, nuk është komision për promovime personale dhe drama që po mundohet të bëjë deputetja Shoshi këtu, absolutishisht nuk prodhon asgjë vetëm një mjegull. Sa i përket pyetjeve që bëri kolegia për UD të sekretarit, duhet të tregojë botërisht se në Kosovë ka pas praktika që UD të sekretarit janë mbajtur edhe më shumë se pesë vite, ndërsa Komisioni për ristrukturim”, tha ai.

Ndërsa, ka relikuiar deputetja, Shoshi duke thënë të mos komentojë pyetjet e saj. Për fjalët të deputetes ka reaguar Haxhiu, duke kërkuar nga kryetarja e komisionit të disiplinojë më shumë deputetin.

“Këtë deputetë duhet të disiplinoni kryetare, sepse ne nuk mundemi të disiplinojmë, sepse së pari nuk ka kulturë debati, dhe nuk ka të drejtë askush të ndërhyjë në fjalën tonë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja nga partia në pushtet, Fitore Pacilli ka pyetur a kishte shkelje të rëndë të ligjit me emërimin e këtyre pozitave.

Për këtë, Isma ka thënë se zyrtarët në mënyrë të kundërligjshme janë avancuar.

“Janë vendimet e Këshillit për të cilat emra nuk jam i interesuar të jap. Këto janë tre vendimet të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, tre vendime me numra të ndryshme që i referohen ankesave që zyrtarët në mënyrë të kundërligjshme janë avancuar kanë bërë në Këshill dhe për të cilat Këshilli i ka refuzuar të trijat dhe ka konfirmuar ligjshmin e vendimeve të cilat unë i kam marrë”, tha Isma.

Mes tjerash, Pacolli ka pyetur se cila ministri ka qenë në krye kur kanë ndodhur këto shkelje.

Ndërsa, Isma ka thënë se në krye të saj ka qenë, ish ministri Enver Hoxhaj.

Ndërkaq reagime pati nga deputetja, Musliu-Shoshi, e cila ka thënë se rasti është në gjykatë.

“Rasti është në gjykatë për të cilin ti nuk ke kompetencë, rasti është në gjykatë, gjykata jep verdiktin final. Nuk je personi kompetent me jep konkluza të tilla me i shiku ministra që kanë qenë”, tha ajo.

Pas kësaj, deputetja Shoshi ka lëshuar sallën.

Në fund, Isma ka thënë së në kohën kur ka marrë pozitën në vitin 2022, në këtë institucion kishte gjetur parregullsi të ndryshme, përfshirë edhe 2.2 milionë euro avans.

Një ditë më parë pozitë e opozitë janë përplasur në Komisionin Hetimor.

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin deklaruar se kanë bërë reformë të thellë në këtë ministri nga viti 2019. Për këtë kanë reaguar deputetët e opozitës të cilët thanë se MPJD nuk po ofron dokumentacionet e kërkuara, ani pse disa herë kanë kërkuar materialet e nevojshme për hetim