Zyrtarëve shtetërorë nuk i ekzekutohen pagat, nuk dihet as se kur do t’u dalin në xhirollogari

Mjekët, mësuesit, zjarrfikësit, policët, zyrtarët administrativë e të gjithë ata që paguhen nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës nuk i kanë pranuar sot pagat dhe ende nuk dihet se kur do iu ekzekutohen ato. E gjithë kjo ka ndodhur pasi ka skaduar mandati edhe i ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të…

Lajme

30/09/2024 18:30

Mjekët, mësuesit, zjarrfikësit, policët, zyrtarët administrativë e të gjithë ata që paguhen nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës nuk i kanë pranuar sot pagat dhe ende nuk dihet se kur do iu ekzekutohen ato.

E gjithë kjo ka ndodhur pasi ka skaduar mandati edhe i ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, e pa nënshkrimin e të cilit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.

Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka dhënë një opinion ligjor në përfundim të orarit.

Përmes opinionit, DMZP ka udhëzuar Ministrinë e Financave se si të procedohet nga nesër me ekzekutimin e pagave dhe zëvendësimin e pozitave që kanë funksionuar me ushtrues detyre.

Neni 35 i Ligjit për Zyrtarët Publik tregon se askush nuk mund të jetë ushtrues detyre i asnjë pozite shtetërore për më shumë se një vit.

“Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”, thuhet në paragrafin 3 të këtij ligji.

Më tej, në paragrafin vijuese të këtij neni tregohet se duhet të respektohet paragrafi 3.

“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni”, është thënë në paragrafin 4 të nenit 25.

Kurse, në paragrafin 5 thuhet se çdo vendim i ushtruesit të detyrës pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3 është i paligjshëm.

“5. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm.”, thuhet në paragrafin 5.