Të Infektuar: 10419

Të Shëruar: 6058

Të Vdekur: 341

Zyrtarët e PDK-së inkurajojnë Rexhepin që t’i drejtohet organeve të drejtësisë

22:15 | 26 Qershor 2014

Bajram Rexhepi

Adem Grabovci inkurajon kolegun e tij nga partia, Bajram Rexhepi që, nëse ka prova se votat e tij janë “avulluar rrugës”, t’i drejtohet organeve të drejtësisë. Ndërkaq, Basri Musmurati thotë se deklarata të tilla janë normale për njerëz që kanë menduar se do të marrin më shumë vota, por që llogaritë nuk ju kanë dalë ashtu siç kanë menduar.

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të mërkurën ka deklaruar se votat e tij “janë avulluar” rrugës, pasi që ai besonte se ka marrë vota të mjaftueshme për të qenë deputet i legjislaturës së ardhshme.

Ai gjithashtu ka akuzuar disa individë brenda partisë së tij, PDK-së, se janë munduar ta “linçojnë politikisht”.

Por, zyrtarët e kësaj partie e kanë inkurajuar kolegun e tyre Rexhepi që, nëse ka fakte për ato që thotë, t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

Adem Grabvoci ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se askush nuk duhet akuzuar pa argumente dhe nëse ka argumente duhet t’i drejtohet Prokurorisë.

“Kur të thuhet diçka dhe kur të akuzohet dikush, duhet mbi bazën e argumentit dhe nëse ka argumente. Absolutisht, unë çdo njërit, e jo vetëm Bajramit (Rexhepit), i kisha preferuar që t’i drejtohet organeve të drejtësisë”,

“Unë nuk jam për të komentuar deklaratat e dikujt, në rastin konkret as të kolegut tim Rexhepi. Ai më së miri i di arsyet lidhur me deklaratat e tij”, ka thënë Grabovci.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati tha se deklarata të tilla mund të dëgjojë edhe nga kandidatët e partive tjera, pasi, sipas tij, disa njerëz nuk i kanë bërë “llogaritë mirë”.

“Është një problem te të gjithë kandidatët për deputetë, jo vetëm të PDK-së, por edhe të partive tjera, të cilët kanë hyrë në garë për të fituar dhe kanë llogaritur se do të marrin numër të madh të votave dhe kur ju del numri më i vogël, mund të kenë arsye e vërejtje të ndryshme”, tha Musmurati, raporton GJNK.