Zyrtarët e ministrisë së Punës përtojnë të angazhohen, shpërblehen kundërligjshëm me 30 mijë euro

22:58 | 25 Qershor 2019

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar të gjeturat për vitin që lamë pas  edhe për ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të udhëhequr nga ministri i Nismës, Skënder Reçica.

Auditori ka gjetur, se MPMS-ja i kishte  shpërblyer punëtorët me mjete shtesë, për punën të cilën ata e kanë detyrë ta kryejnë sipas kontratës, shkruan lajmi.net.

“Pagesat për kompensimin e stafit për punë shtesë Neni 80 i Ligjit Nr.03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, citon: nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizatë buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik, ky punonjës, shërbyes civil ose zyrtar nuk ka të drejtë të pranojë, dhe nuk do të pranojë, kurrfarë kompensimi shtesë për këtë shërbim”, thuhet nga Auditori.

Pra sipas Ligjit, shërbimi konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, shërbyesi civil ose zyrtari i sipër cekur.

Por krejtësisht  kundërligjshëm kishte vepruar ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo ministri kishte anashkaluar kërkesat ligjore duke kompensuar stafin e angazhuar në komisione të ndryshme gjatë orarit të rregullt të punës.

Vlera totale e këtyre kompensimeve ishte 30 mijë e 13 euro të cilat ishin paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve me aprovim të ZKA-së.

Shkaku i këtyre kompensimeve sipas menaxhmentit të MPMS-së ishte motivimi i stafit, pasi që në mungesë të kompensimit stafi hezitojnë të angazhohen në komisione të tilla.

Auditori jep vërejtje se pagesat për kompensimin e stafit për punë shtesë brenda orarit të rregulltë të punës është në kundërshtim me legjislacionin duke rezultuar me pagesa të parregullta dhe njëkohësisht ndikon në dëmtim të buxhetit

Ministri, sipas Auditorit duhet të sigurojë se nuk do të ketë asnjë kompensim shtesë për stafin e angazhuar brenda orarit të rregullt të punës. /Lajmi.net/