Zyrtarët e arrestuar të Komunës së Prishtinës (emrat)
Kryeinspektori Ismet Haliti (dhëndër i ish-kryetarit të Komunës, Isa Mustafa) dhe nëntë zyrtarë e inspektorë të tjerë komunalë, janë arrestuar mëngjesin e sotëm si të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe krim të organizuar.
Lajme
E plotësuar, 11:30
Dhjetë të arrestuarit, zyrtarë e inspektorë të Prishtinës janë: Ismet Haliti, Drita Rukiqi, Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Blerim Syla, Granit Cenaj, Mergim Shala, Ardian Muhadri, Blerim Ibishi, Arbenita Ajeti, ndërsa i njëbëdhjeti është pronari i kompanisë ndërtimore “Pozhegu”, Qemajl Pozhegu.
Policia e Kosovës ka përfunduar aksionin e filluar mëngjesin e së enjtes, ku janë arrestuar 11 persona, zyrtarë dhe ish zyrtarë të Komunës së Prishtinës.
Prokuroria ka konfirmuar rastin.
Të arrestuarve, të dyshuar për rastet e ndërtimeve ilegale, u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
E plotësuar 10:10
Burimet e lajmi.net mësojnë se Policia e Kosovës ka përfunduar aksionin e filluar në mëngjes ku janë arrestuar 11 persona. Prokuroria ka konfirmuar rastin. Të arrestuarve, të dyshuar për rastet e ndërtimeve ilegale, u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Prokuroria e Kosovës sapo e ka konfirmuar se me urdhër të prokurorit vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, janë arrestuar 10 zyrtarë të Komunës së Prishtinës, si dhe një person nga një kompani private e ndërtimit.
“Sot me urdhër të prokurorit vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka arrestuar 10 zyrtarë nga Sektori i ndërtimit i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, prej tyre, shefin e sektorit, një zyrtar për ekzekutim, dhe 8 inspektorë për ndërtim, si dhe pronarin e një kompanie private të ndërtimit”, thuhet në kumtesë.
Për dhjetë zyrtarët e arrestuar nga Komuna e Prishtinës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer veprën penale, Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, për të arrestuarin e njëmbëdhjetë, (pronari i një kompanie private), ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprën penale Falsifikim i dokumenteve nga neni 398, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit, për të pandehurit, ka urdhëruar ndalimin policor në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Arrestimi i sotëm është rezultat i hetimit paraprak, që është zhvilluar nga shtatori i vitit 2013, lidhur me ndërtimin e objekteve pa leje ndërtimore, në Komunën e Prishtinës. Gjatë kësaj kohe janë siguruar prova të rëndësishme për dyshimin e bazuar se personat e arrestuar kanë kryer veprat penale të lartcekura”, thuhet në kumtesën e prokurorisë.
E plotësuar, 9:50
Burimet e lajmi.net mësojnë se Policia e Kosovës ka përfunduar aksionin e filluar në mëngjes ku janë arrestuar 11 persona. Të arrestuarit aktualisht po intervistohen nga policia për krime ekonomike si të dyshuar për rastet e ndërtimeve ilegale.
Burime të lajmi.net njoftojnë se gjatë operacionit policor sapo është arrestuar edhe shefi i Inspektoratit të komunës së Prishtinës.
Ndërkohë, para stacionit policorë në Qendër, janë mbledhur disa avokatë, të cilët ende nuk po lejohen të kontaktojnë me klientët e tyre.
Bajram Tmava, i angazhuar në mbrojtje të D. Rukiqit, zyrtare në Inspektoriatin ndërtimor të Komunës së Prishtinës, tha se ende nuk është lejuar të kontaktojë klienten e tij, dhe se nuk i di arsyet për të cilat ajo akuzohet.
Aktualisht policia për krime ekonomike po interviston zyrtarët dhe ish zyrtarët të vënë nën pranga.
——————————–
Arrestohen 11 zyrtarë e inspektorë të Komunës së Prishtinës
Burimet e lajmi.net mësojnë se Policia e Kosovës ka filluar sot në mëngjes një opercion policor dhe deri tani janë arrestuar disa persona. Aksioni po vazhdon. Sipas burimeve, 11 persona pritet të vihen nën pranga si të dyshuar për raste të ndërtimeve ilegale.
Ata janë zyrtarë dhe ish zyrtarë të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe krimit të organizuar.
Ndër të dyshuarit ka edhe persona të bizneseve, nga sektori i ndërtimtarisë.
Zyrtarët komunalë thuhet se janë inspektore të ndërtimtarisë, të cilët dyshohet se qëllimisht nuk kanë zbatuar urdhëresat për ndalimin dhe rrënimin e ndërtimeve ilegale.
Ndër të arrestuarit ka edhe zyrtarë të lartë të administratës së kaluar në Komunën e Prishtinës.