Zyrtare: Shqipëria me trajnerë të ri (Foto)

Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar trajnerët e rinj të përfaqësueses U-21 dhe U19.

Sport

12/08/2015 14:45

Redi Jupi do të jetë trajneri i ri i ekipit kombëtar U-21 dhe Arjan Bellai trajner i ekipit U-19. Sot paradite në sallën e konferencave të Federatës Shqiptare të Futbollit sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni Ilir Shulku, bëri prezantimin e trajnerëve të sapo emëruar, transmeton Express.

“Falënderoj fillimisht trajnerët paraardhës, për punën e lavdërueshme që kanë kryer në drejtimin e ekipeve kombëtare që kane drejtuar. Altin Lala ka kërkuar të largohet për shkaqe personale dhe me aprovimin e FSHF-së . Sidoqoftë, një kampion si Lala është gjithmonë i mirëpritur, në stafet tona”- deklaroi Shulku.

Më pas Sekretari i Përgjithshëm, prezantoi Redi Jupin, si drejtues të bankinës së 21-vjeçarëve të Shqipërisë dhe Arjan Bellain si drejtues të bankinës së ekipit U-19.

“Kemi nisur punën menjëherë për të përgatitur dy ndeshjet e radhës, kundër Izraelit dhe Portugalisë. Për fat, skuadrën e njoh sepse kam bashkëpunuar me Skënderin. Them se do të jenë ndeshje të vështira, të cilat do të kërkojnë impenjim maksimal. Nuk do të bëjmë ndryshime të mëdha”, tha mes të tjerave trajneri Redi Jupi.

Ndërsa Arjan Bellai falënderoi FSHF dhe Presidentin Duka për besimin. “Sigurisht, që për skuadrën kam pak gjëra të reja për të thënë, për shkak se e njoh mire duke punuar së bashku me Altin Lalën. Do të bëjmë më të mirën, me kontingjentin e lojtarëve që kemi në dispozicion”.

Ndihmës i trajnerit Redi Jupi tek 21-vjeçarët, do të jetë një prej emrave më të njohur të futbollit shqiptar në vitet 70-80, Vasillaq Zëri. Ndërsa ndihmës i trajnerit Arjan Bellai tek 19 vjeçarët, do të jetë një tjetër emër i madh i futbollit në vitet 80-90, Sulejman Demollari.

Shqiperia