Zyrtare: Bora zyrtarizon afrimin e Lubomir Minchev në krye të skuadrës
Klubi i basketbollit Bora nga Prishtina ka zyrtarizuar të dielën emërimin e trajnerit bullgar Lubomir Minchev në krye të ekipit. Minchev do ta pasojë trajnerin malazez Danilo Rakoçeviq, ndërsa rikthehet në Superligën e Kosovës, pasi më parë kishte drejtuar Trepçën gjatë edicionit 2022/23. Para se të marrë drejtimin e Borës, ai ka qenë në krye…

Sport
Klubi i basketbollit Bora nga Prishtina ka zyrtarizuar të dielën emërimin e trajnerit bullgar Lubomir Minchev në krye të ekipit.
Minchev do ta pasojë trajnerin malazez Danilo Rakoçeviq, ndërsa rikthehet në Superligën e Kosovës, pasi më parë kishte drejtuar Trepçën gjatë edicionit 2022/23. Para se të marrë drejtimin e Borës, ai ka qenë në krye të skuadrës bullgare BC Spartak Pleven.
Përveç përvojës në klube, Minchev ka qenë edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Bullgarisë në basketboll, duke sjellë me vete një bagazh të pasur në nivel ndërkombëtar.
Në njoftimin zyrtar, klubi Bora ka theksuar se Minchev do të sjellë profesionalizëm, disiplinë dhe një vizion të qartë për ngritjen e skuadrës në nivele më të larta.
“Synimet janë të mëdha dhe me Minchevin në krye, jemi të bindur se do të ndërtojmë një ekip konkurrues dhe të përkushtuar për suksese”, shkroi klubi në rrjetet sociale.
Skuadra nga Prishtina e siguroi mbijetesën në Superligë në edicionin e kaluar duke mposhtur KEK-un në plejaut.
Bora e përfundoi kampionatin në pozitën e parafundit, por tash synon të rikthehet më e fortë nën drejtimin e trajnerit të ri.