“Zyrapi të mos thotë shumë” – Prokuroria zbërthen bisedën e Thaçit me Shalën, Smakajn e Behramin

Më 9 shtator 2023, Hashim Thaçi u vizitua në qendrën e paraburgimit nga Bashkim Smakaj, i cili kishte ardhur së bashku me Artan Behramin, Blerim Shalën dhe Ismail Sylën. Sipas Prokurorisë, katër personat qëndruan me Thaçin për rreth tri orë dhe vizita u incizua. Prokurori ka thënë se Thaçi e nisi vizitën duke folur me…

Lajme

10/09/2026 13:34

Më 9 shtator 2023, Hashim Thaçi u vizitua në qendrën e paraburgimit nga Bashkim Smakaj, i cili kishte ardhur së bashku me Artan Behramin, Blerim Shalën dhe Ismail Sylën. Sipas Prokurorisë, katër personat qëndruan me Thaçin për rreth tri orë dhe vizita u incizua.

Prokurori ka thënë se Thaçi e nisi vizitën duke folur me zë normal dhe duke shkëmbyer pyetje të përgjithshme me vizitorët. Më pas, biseda kaloi te çështja e tij gjyqësore, përkatësisht te çështja 6, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, një pjesë e komenteve të Thaçit në këtë fazë ishin thjesht shprehje të opinionit të tij lidhur me procesin gjyqësor. Megjithatë, Prokuroria është ndalur te pjesët e bisedës që, sipas saj, lidhen me dëshmitarët dhe mënyrën se si duhej të dëshmonin.

Prokurori ka thënë se Thaçi në mënyrë të vazhdueshme e theksonte rëndësinë e jashtëzakonshme të dëshmisë së Bislim Zyrapit. Sipas tij, Thaçi kishte bërë edhe deklarata të përgjithshme lidhur me mënyrën se si Zyrapi duhej ta jepte dëshminë.

Në veçanti, sipas Prokurorisë, Thaçi e theksonte rëndësinë që Zyrapi të mos fliste shumë. Këtë, sipas prokurorit, ai e kishte theksuar në bisedë me Blerim Shalën dhe Bashkim Smakajn.

Në një moment sipas Prokurorisë Thaçi i kërkon Artan Behramit që të flas me zë të lartë, për të mos u kuptuar biseda me Smakaj.

“Thaçi thekson rëndësinë që ka fakti që Zyrapi të mos thotë shumë”, ka argumentuar prokurori, duke shtuar se udhëzimi ishte që dëshmia e tij të jepej sa më shkurt.

Prokurori e ka lidhur këtë me udhëzime të ngjashme që, sipas tij, Thaçi kishte dhënë edhe për dëshmitarë të tjerë gjatë vizitave të ndryshme.

Ai ka përmendur udhëzimet që Prokuroria pretendon se Thaçi kishte dhënë lidhur me Remi Mustafën, duke thënë se edhe atij i ishte kërkuar që të “binte shkurt” në dëshminë e tij.

Sipas Prokurorisë, i njëjti shqetësim shfaqej edhe në vizitat e 4 gushtit, 22 shtatorit dhe më pas më 6 tetorit, në komunikimin me Isni Kilajn.

Prokurori ka argumentuar se shqetësimi i Thaçit në këto raste ishte i njëjtë: sa më shumë të flisnin dëshmitarët, aq më i madh ishte rreziku që ata të thoshin diçka që mund ta dëmtonte atë.

“Sa më shumë që flisnin dëshmitarët, aq më i madh ishte rreziku që ata të thonin diçka jo të mirë lidhur me Thaçin dhe sa më shumë që flisnin, kishte mundësi që të rrëshqisnin”, ka thënë prokurori.

Sipas tij, përsëritja e këtij udhëzimi në bisedat me persona të ndryshëm është pjesë e argumentit të Prokurorisë se bëhej fjalë për një praktikë të përsëritur në komunikimet e Thaçit lidhur me dëshmitarët.

Këto janë pretendime dhe argumente të Prokurorisë të paraqitura gjatë deklaratave përfundimtare dhe jo konstatime përfundimtare të trupit gjykues. /Lajmi.net/