Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së thotë se gjeti mospërputhje në certifikata

Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka njoftuar se kanë evidentuar raste të cilat nuk përputhen me të dhënat në mes të certifikatës së statusit dhe listës elektronike që posedojnë në zyrë, e për të cilat nuk mund të lëshohen vërtetime.

Lajme

09/12/2021 09:32

“Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, ju informon se ka evidentuar raste të mospërputhjes së të dhënave në mes të certifikatës së statusit dhe listat elektronike që posedojmë në zyrë, për të cilat nuk mund të lëshojë vërtetime”, thuhet në komunikatën për medie nga zyra e kryeministrit.

Nga kjo zyrë thonë se nuk mund të lëshojnë kopje të certifikatave, kjo për shkak të mungesës së dosjeve fizike të cilat janë të sekuestruara në 2017-tën.

“Po ashtu, në mungesë të dosjeve fizike të cilat janë të sekuestruara në vitin 2017 nga Prokuroria Speciale, nuk kemi mundësi të lëshojmë kopje të certifikatave. Ju njoftojmë se në koordinim me zyrën ligjore të Kryeministrit dhe zyrën e Avokatit të Shtetit, ju kemi drejtuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore me propozim për takim të përbashkët, ku do të diskutohet mundësia e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të diskutohet për këto paqartësi teknike që lidhen me punën e përditshme të Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që derivon nga Ligji nr.04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, ligjit përkatës për veteranët e UÇK-së dhe legjislacioni tjetër në fuqi. Jemi në pritje të konfirmimit të propozimit për takim. Për çdo zhvillim të ri në këtë drejtim do të ju mbajmë të informuar me kohë”, thuhet më tej në komunikatë.