Zyra e OKB-së në Kosovë: Pozicioni ynë nuk komunikohet përmes email-ve, ne do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet dhe institucionet

Mbrëmë gazetari i njohur, Adriatik Kelmendi në emisionin e tij tha se posedon informacionin që koordinatorja e OKB-së në Kosovë kërkon të mos mbahen kontakte zyrtare me Qeverinë Kurti. Pas këtij lajmi, zyra e OKB-së në Kosovë doli me njoftim duke demantuar atë që e ka thënë Kelmendi, shkruan lajmi.net “UNKT riafirmon bashkëpunimin e saj…

Lajme

03/06/2025 18:20

Mbrëmë gazetari i njohur, Adriatik Kelmendi në emisionin e tij tha se posedon informacionin që koordinatorja e OKB-së në Kosovë kërkon të mos mbahen kontakte zyrtare me Qeverinë Kurti.

Pas këtij lajmi, zyra e OKB-së në Kosovë doli me njoftim duke demantuar atë që e ka thënë Kelmendi, shkruan lajmi.net

“UNKT riafirmon bashkëpunimin e saj të vazhdueshëm dhe të fortë me qeverinë e Kosovës. Ne mbetemi të përkushtuar fuqimisht ndaj prioriteteve të zhvillimit të Kosovës dhe e vlerësojmë partneritetin tonë të gjatë me institucionet e Kosovës.”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kelmendi pastaj me një postim insistoi në atë që e ka thënë, duke shtuar se ekziston një email që iu është dërguar disa agjencive.

“E konfirmoj se të hënën, pasdite, një email nga zyrja e OKB-së në Kosovë është dërguar në disa adresa të përfaqësuesve të këtyre agjencive, në të cilin jepen udhëzime se si duhet të jetë niveli i komunikimit me Qeverinë e Kosovës, derisa ajo është në detyrë. Si gazetar, e ruaj të drejtën e moszbulimit të burimeve. Kushdo që ka interesim të pyesë në adresat e caktuara se a është dërguar ky email, si dhe ta publikojnë përmbajtjen e tij.”, tha Kelmendi në postimin e tij.

Lajmi.net kontaktoi me zyrën e OKB-së në Kosovë për të komentuar këto deklarime të Kelmendit.

Zyra e OKB-së në përgjigjen e dhënë mohoi përsëri.

“Ne jemi në dijeni për raportimet e fundit në media. Pozicioni zyrtarë i UN nuk komunikohet përmes email-ve të zbuluara. Pozicioni i UN është i qartë: i takon qytetarëve të Kosovës të zgjedhin qeverinë e tyre. UN do të vazhdoj të punoj me autoritetet dhe institucionet duke pritoritizuar të mirën e qytetarëve të Kosovës.”, thuhet në përgjigjen e zyrës së OKB-së në Kosovë./lajmi.net/