Zyra e Grenellit pa përgjigje rreth përfshirjes së mundshme të Gjermanisë dhe Francës në dialog

Përfshirja e mundshme e Gjermanisë dhe Francës në dialogun Kosovë-Serbi, nuk është komentuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajme

10/06/2020 10:42

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që të përfshihen në mënyrë më direkte në dialogun Kosovë Serbi, madje kanë paralajmëruar edhe një samit rreth dialogut për në muajin shtator.

Të paktën kështu kanë raportuar  mediet serbe duke u thirrur në burime të tyre diplomatike brenda Bashkimit Evropian, shkruan lajmi.net.

Lexo edhe: 

Kurir: Samiti i radhës në shtator, Macron fton Kosovën dhe Serbinë në dialog

Lajmi.net ka dërguar pyetje në drejtim të zyrës së të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, se si e shohin përfshirjen e Gjermanisë dhe Francës në këtë proces por edhe mbajtjen e një samiti të mundshëm, por të njëjtit nuk kanë komentuar këto raportime.

Dick Custin, zëdhënës i emisarit, Richard Grenell, ka thënë për lajmi.net se nuk ka asnjë përgjigje dhe qëndrim në lidhje me këtë.

“Fatkeqësisht, nuk kam asgjë për ju në lidhje me këto çështje”, është përgjigjur shkurt Custin për lajmi.net.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve ndërkombëtare dhe politike në vend, përfshirjen e Gjermanisë dhe Francës e shohin si një lajm pozitiv për Kosovën.

Ata thonë se Kosova mund të përfitojë nga zhbllokimi i dialogut, dhe se përfshirja e Francës dhe Gjermanisë i sjellë edhe dobi Kosovës. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Përfshirja e mundshme e Gjermanisë dhe Francës në dialogun me Serbinë, e mirëseardhur