Përfshirja e mundshme e Gjermanisë dhe Francës në dialogun me Serbinë, e mirëseardhur

Përfshirja e Gjermanisë dhe Francës në dialogun me Serbinë po shihet si një lajm i mirë për Kosovën.

Lajme

09/06/2020 18:16

Gjatë ditës së martës, mediet serbe raportuan që Gjermania dhe Franca dëshirojnë të përfshihen në dialog dhe të kenë ndikim më të madh në këtë proces.

Mirëpo, përfshirja e këtyre dy fuqive evropiane në dialog po shihet në mënyra të ndryshme nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare dhe politike në Kosovë.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë për lajmi.net, se përfshirja e Gjermanisë dhe Francës në procesin e dialogut është shumë e dobishme, pasi që sipas tij, Bashkimi Evropian akoma nuk e ka pozicionin unik kundrejt Kosovës, përderisa këto dy shtete e njohin pavarësinë e Kosovës dhe njohin sovranitetin e vendit tonë, siç u shpreh ai, në kuptimin e mos-ndryshimit të kufijve.

“Unë mendoj dhe nuk kam asnjë dilemë se përfshirja e Gjermanisë dhe Francës është shumë e dobishme aq më parë kur kemi parasysh faktin që BE-ja nuk ka një pozicion unik kundrejt Kosovës. Kjo nuk është diçka e re e as e arritur e jona për momentin sepse që nga iniciativa e Samitit të Berlinit të kancelares Merkel e këndej është parë rrugës që rolin udhëheqës në ndërmjetësimin Kosovë-Serbi ta kenë shtetet e fuqishme dhe kur flasim për shtetet e fuqishme në BE, pas largimit të Britanisë së Madhe kanë mbetur vetëm Gjermania dhe Franca. Mbi këtë bazë unë mendoj se kjo është një lajm pozitiv e lajmi bëhet akoma më pozitiv e bëhet i shkëlqyeshëm për faktin se që të dyja vendet e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të dyja vendet njohin sovranitetin në kuptimin e mos-ndryshimit të kufijve dhe e tëra që mbetet është vetëm aranzhim i pozitës së brendshme të minoriteteve dhe njohje reciproke Kosovë-Serbi”, deklaroi Hoti për lajmi.net.

Lexo edhe: 

Kurir: Samiti i radhës në shtator, Macron fton Kosovën dhe Serbinë në dialog

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj, thotë se Gjermania dhe Franca janë dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian dhe se përfshirja e tyre do të ishte e mirëseardhur.

Sipas Mushkolajt, është Bashkimi Evropian ai i cili duhet ta sqarojë se në çfarë kapaciteti do të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.

Mushkolaj ka thënë për lajmi.net, se çfarëdo marrëveshje që është arritur, është përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se sipas tij, kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

“ Tu e pas parasysh që Gjermania dhe Franca janë dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian dhe në anën tjetër çdo dialog besoj unë ose çdo marrëveshje që do të arrihet duhet të ketë edhe pajtimin e Bashkimit Evropian. Unë besoj që nuk duhet të shtrohet pyetja a duhet me u përfshi, por në çfarë kapaciteti duhet të përfshihet Bashkimi Evropian në këtë dialog. Zakonisht në marrëveshjet që janë arritur sa i përket Kosovës janë përfshirë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, pra gjithmonë ka ekzistuar njëfarë lloj pajtimi në mes këtyre dy superfuqive sa i përket çështjeve që kanë pasur të bëjnë me Kosovën. Kështu që unë besoj që kështu do të jetë edhe kësaj here”, theksoi Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, çdo marrëveshje e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e BE-së është e pamundur dhe se siç theksoi ai, politika kosovare nuk duhet të ndahet në dy drejtime rreth dialogut, pra a duhet dialogu të udhëhiqet nga SHBA-të apo nga BE-ja.

“Të mos harrojmë se pavarësisht marrëveshjes që mundet me u arrit nëse BE-ja nuk është e përfshirë, gjë që nuk ndodhë që nuk do të jetë e përfshirë, për shkak se nuk ka kurrfarë logjike duke e pasur parasysh që Kosova aspiron që të anëtarësohet në BE edhe pesëshja e shteteve që nuk e njohin Kosovën është problematike nëse nuk përshihet BE-ja. Kështu që unë besoj që edhe politika kosovare ose më mirë të them qasja kosovare karshi dialogut duhet të jetë dy drejtimëshe në kuptimin e përfshirjes edhe të Bashkimit Evropian por natyrisht edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e dëmshme qasja që ose Bashkimi Evropian ose Amerika ose e kundërta. Është shumë e dëmshme për shkak se deri më tash ka ndodhur ndryshe dhe unë besoj se do të vazhdojë ashtu që rolin e vet ta kenë edhe SHBA-të edhe BE-ja, vetëm se është çështje tjetër kapacitetin me të cilën do të angazhohen edhe formati i dialogut. Tash nuk e di nëse përnjëmend do të ketë dialog, a do të ketë dialog mbi një kornizë-marrëveshje, se kemi pasur dialog tash e 10 vjet dhe për mua është e palogjikshme që të vazhdohet sërish dialogu ndërkohë që të gjitha ato marrëveshje të arritura nuk janë zbatuar. Por sido që të jetë në dialog do të përfshihet edhe Bashkimi Evropian, a do të përfshihet më shumë Franca e Gjermania apo Bashkimi Evropian si entitet i tërë, kjo mbetet të shihet, por përfshirje do të ketë”, u shpreh Mushkolaj për lajmi.net.

Zhbllokimin e dialogut po e sheh si interes të Kosovës dhe Serbisë politologu, Ramush Tahiri.

Në një prononcim për lajmi.net, Tahiri ka thënë se takimet e ardhshme në mes të Serbisë dhe Kosovës do të zhvillohen pas vizitës së Lajçakut dhe Grenellit.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet sepse është në interes të dy popujve dhe dy vendeve. Sepse një konflikt i armatosur dhe një luftë duhet të përfundoj me paqe dhe kjo s’ka alternativë. Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar bisedime në Bruksel, i kanë bërë 33 marrëveshje, shumica zbatohen dhe shumica janë në interes të të dyja vendeve. Ka mbet me u zbatua edhe disa dhe këndvështrimi është i ndryshëm. Duhet të formohet një komision, Kosova ka propozuar një komision të përbashkët i cili i sheh marrëveshjet e Brukselit dhe e sheh se ku janë pengesat dhe si të tejkalohen. Unë mendoj në takimet e ardhshme që do të mbahen tash pas vizitës së Lajçakut por edhe të Grenellit, unë besoj që takimet e para duhet të mbahen në fund të muajit qershor në Bruksel dhe do të shqyrtohen edhe këto tri marrëveshjet e fundit që u bënë ajo për transportin hekurudhor, ajror dhe rrugor. Edhe do të shikohet se si do të konkretizohet dhe si të marrim fonde ndërkombëtare edhe të Bashkimit Evropian edhe të bankave evropiane dhe botërore, por edhe për ndërtimin e infrastrukturës”, u shpreh Tahiri.

Tahiri ka thënë po ashtu se dialogu Kosovë-Serbi ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe përfshirja individuale e vendeve anëtare të BE-së është e panevojshme.

Sipas tij, nga askush nuk duhet të kërkohet një konferencë mbi të cilën do të diskutohej statusi i Kosovës ashtu siç po kërkon Serbia.

“Tash sa i përket dialogut politik dhe sa i përket marrëveshjes së përgjithshme, ne e kemi që po ndërmjetëson Bashkimi Evropian, komisioneri i përgjithshëm për Politikë të Jashtme, Borrell, tash është emëruar një emisar i veçantë, Mirosllav Lajçak, i cili ka përvojë në Ballkan edhe i cili mundet me ndihmua dhe lehtësua. Ndërmjetësimi është vetëm lehtësim, nuk ka as imponim të temës, nuk ka as agjendë as asgjë. Agjendën e bëjnë palët, e bën Kosova dhe Serbia, asgjë nuk është e imponuar, as marrëveshja teknike as asgjë. Nëse Bashkimi Evropian ndërmjetëson atëherë nuk ka nevojë edhe vendet individuale të japin kapacitetet e tyre. Munden në kuadër të grupit të Lajçakut, por jo diçka të veçanta. Unë nuk jam i mendimit që Kosova, pa statusin e saj ashtu siç po kërkon Serbia ose të ketë konferencë statusore ndërkombëtare sepse pavarësia është kryer dhe integriteti e sovraniteti është kryer dhe ka mbetur të na pranojnë disa shtete ose me na pranua Serbia, por nuk ka kthim mbrapa. Mirëpo në qoftë se ne dalim në konferencë ndërkombëtare, për shembull 5 vendet e QUINT-it ose me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose me ndërmjetësim, faktikisht humbet, nuk po e them fjalën e madhe që po thonë këta tradhti, por faktikisht humbet pozicioni kushtetues që e kemi”, theksoi Tahiri.

Tutje politologu Ramush Tahiri ka thënë për lajmi.net, se në këtë dialog Kosova dhe Serbia përfaqësohen si shtete dhe se këtë vit ka shumë gjasa që të arrihet një marrëveshje themelore për normalizimin e marrëdhënieve.

“Pra pres bisedime teknike, vazhdimin e dialogut, sa më shumë marrëveshje aq më mirë dhe deri në fund të vitit unë pres që do të bëhet një marrëveshje bile themelore për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është karakteristikë se do të bisedojmë si shtet, është karakteristikë sepse do të bisedojmë të barabartë edhe është karakteristikë se të gjitha marrëveshjet do të bëhen publike dhe duhet të ratifikohen në kuvend, pas një debati që zhvillohet në komisione dhe nuk ka nevojë të mbahen fshehur dhe nuk ka nevojë të akuzojnë njëri-tjetrin pozitë-opozitë”, tha Tahiri për lajmi.net.

Sipas tij, përfshirja e opozitës në këtë proces do të ishte e mirë dhe se Albin Kurti dhe partia e tij duhet të jenë prezent në komisionin që e kanë krijuar gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet.

“ Do të ishte mirë që përmes Parlamentit të kyçet edhe opozita, edhe tash nuk jam cinik në atë që po e them, por ashtu i bie, Albin Kurti ka krijuar një komision kur ishte vetë kryeministër dhe i ka krijuar disa rregulla dhe mendoj që ai nuk ka kundërshtim tash si Vetëvendosje që të marrë pjesë në atë komision, por tash rolin që e ka paraparë për opozitën. Ai pat propozuar që bisedimet dhe qeveria e tij, të marrë pjesë presidenti, opozita, komisioni e të gjithë. Do me thënë e gjithë ajo strukturë tash me u zbatua nën Avdullah Hotin edhe Albin Kurti me e pas rolin konstruktiv të opozitarit”, tha ai.

Sipas Tahirit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë kanë qenë të përfshira në dialogun me Serbinë dhe siç theksoi ai për lajmi.net, BE-ja është vetëm ndërmjetësues kurse Amerika është garanci në këtë proces.

“Sa i përket Kosovës që Kosova kërkon vetëm bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk bëhet ashtu sepse Amerika i ka interesat gjeo-politike edhe gjeo-strategjike, nuk punon në bazë të interesave të Kosovës edhe në bazë të interesave të garniturave të Kosovës, nuk punon asnjëherë kundër interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës sepse falë ndihmës amerikane është krijuar shteti jonë, por duhet të jemi të kujdesshëm në propozimet që ne i japim sepse ne jemi vend evropian dhe ndërmjetësimi bëhet nga Bashkimi Evropian dhe kjo është e mjaftueshme për neve a garancia gjithmonë është e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur amerikanin Robert Cooper që ishte non-stop në bisedimet kur zhvilloheshin me baroneshën Ashton por edhe më pas me Mogherinin edhe tash me Borrellin, do me thënë, Amerika gjithmonë është prezente sepse roli i saj është global. Por jo me kërkua Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën edhe jo me e lecitu a është ky shtet pro neve, a duhet të marrë pjesë Spanja, a duhet Franca a duhet të marrë pjesë Gjermania. Bashkimi Evropian është Bashkimi Evropian. Lehtëson sepse ne çel rrugë edhe neve për integrime evropiane ndërsa vendet individuale jo, sepse vendet individuale siç themi ne me kanun, nuk kanë dorëzanllëk këtu, unë po e dua atë unë po e dua këtë. As kyçja e Rusisë nuk është aspak e nevojshme. Këto gjëra janë përfunduar në Konferencën e Parisit por edhe të Vjenës, janë përfunduar edhe me Rezolutën që është bërë në Këshillin e Sigurimit dhe gjithçka është në rregull. Nuk e di përse opinioni por edhe politika po i rikthen çështjet të cilat i kemi kaluar një herë”, u shpreh ai.

Duhet theksuar se që nga nëntori i vitit 2018, Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar asnjë takim në Bruksel. Bisedimet ishin ndërprerë pasi që qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte vendosur tarifën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe autoritetet e Serbisë kishin kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e kësaj tarife.

Tashmë Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ka hequr edhe masën e reciprocitetit, masë kjo që ishte vendosur nga Albin Kurti sa ishte kryeministër. Me heqjen e masës së reciprocitetit i është hapur rrugë edhe vazhdimit të dialogut me Serbinë. /Lajmi.net/