Zvicra rikonfirmon mbështetjen për projektet e Ministrisë së Diasporës
Ministri i Diasporës, Valon Murati, në kuadër të vizitës së tij në Federatën e Zvicrës në dy takime të nivelit federal me Programin për Zhvillim të Zvicrës (SDC) si dhe me, Sekretarin e Shtetit për Arsim dhe Inovacion, Mauro Dell’Ambrogio nga të cilët morri rikonfirmim për mbështetjen e shtetit zviceran në projektet e udhëhequra nga Ministria e Diasporës.

Lajme
Gjatë këtyre takimeve, në mes tjerash, u kërkua mbështetja e shtetit zviceran për arsimin profesional, mësimin plotësues të gjuhës shqipe, regjistrimin e diasporës dhe mërgatës, si dhe projekteve të tjera të Ministrisë së Diasporës me qëllim të transformimit të remitancave që vijnë nga diaspora në projekte investive në Kosovë, posaçërisht në fushën e teknologjisë informative (TI) dhe bujqësisë.
Në një njoftim për media të Ministrisë së Diasporës, thuhet se gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit për Arsim dhe Inovacion, ministrin Dell’Ambrogio, ministri Murati kërkoi që mësimi plotësues i gjuhës shqipe të përkrahet më shumë nga Kantonet ku ka përqendrim më të madh të diasporës tonë, si dhe kërkoi mbështetje në dërgimin e ekspertëve për dizajnimin e kurikulës për mësimin në gjuhën shqipe sipas standardeve dhe metodologjisë e cila përdoret në Zvicër.
“Ministria e Diasporës i kushton rëndësi të veçantë mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Ne duam që të kemi tekste shkollore sipas metodologjisë e cila përdoret në Zvicër, si dhe standardeve që aplikohen në Zvicër, andaj departamenti juaj mund të na ndihmojë në këtë drejtim”, tha ministri Murati, shkruan në këtë njoftim, raporton lajmi.net.
Ministri Dell’Ambrogio në këtë kontekst e njoftoi Murati për situatën aktuale të mësimit plotësues, ndërsa u zotua për përkrahje nga niveli federal në sensibilizimin e prindërve për ngritjen e numrit të nxënësve në shkollat shqipe, si dhe ndihmën në dialogun me ministrat kantonal në kërkesat për avancimin e nivelit të gjuhës shqipe në Zvicër.
Në anën tjetër, me drejtorin e programit të SDC për Ballkanin Perëndimor, Richard Kohli, ministri Murati falënderoi këtë institucion për mbështetjen e vazhdueshme ndërsa kërkoi që projektet të cilat janë duke u implementuar në Kosovë momentalisht të kenë gjithsesi edhe shtyllën e diasporës posaçërisht në procesin e regjistrimit të diasporës dhe mërgatës, ngritjen e kapaciteteve të organizatave të diasporës, aftësimin profesional dhe projektet e subvencionimit të transferit të remitancave në projekte investive në TI dhe bujqësi.
Kohli falënderoi ministrin Murati për shfaqjen e vullnetit politik për të punuar në këtë drejtim, ndërsa shprehu vazhdimin e mbështetjes së këtyre projekteve, me përfshirjen akoma më të madhe të Ministrisë së Diasporës në nivel të punës duke thënë se SDC është e hapur jo vetëm për projektet e tashme, por edhe për projekte akoma më të mëdha në fushën e angazhimit të diasporës në zhvillimin politik dhe socio ekonomik të Kosovës.