Zvicra e vogël, 15.6 miliardë franga nga turizmi
Gjatë vitit 2013 turistët e huaj kanë shpenzuar 3.6 për qind më shumë para në vizitat e tyre në Zvicër sesa një vit më parë.
Bota
Në Zvicër shënohet sërish rritje e numrit të turistëve të huaj, gjegjësisht e shumës së parave të fituara nga turizmi. Gjatë vitit 2013 turistët kanë shpenzuar 3.6 për qind më shumë para gjatë vizitave të tyre turistike në Zvicër sesa një vit më parë. Ose, e kthyer në shifra, kjo shumë është 15.6 miliardë franga.
Në vitin 2012 fitimet nga turizmi patën shënuar një rënie prej 1.3 për qind në krahasim me vitin paraprak, bën të ditur Zyra Federale e Statistikave (BFS).
Pjesën më të madhe, ose dy të tretat e të ardhurave nga turizmi e përbën turizmi klasik me udhëtim dhe fjetje në Zvicër, shkruan srf.ch. Të hyrat nga bujtjet në hotelieri dhe parahotelieri gjatë vitit 2013 janë rritur për 0.8%.
Ndërkohë, po vjen duke u rritur rëndësia e të hyrave nga qëndrimi në Zvicër i të huajve për shkollim e kualifikim, si dhe për shërim. Sipas statistikave të zyrës së përmendur, ky lloj turizmi është rritur për 5.5 për qind, duke mbërritur në shifrën 3.2 miliardë franga.
Si transmeton albinfo, rritjen e të ardhurave nga turistët e huaj specialistët e shpjegojnë me faktin se çmimet në Zvicër kanë filluar sërish të bëhen më atraktive.