​Zvarritja e punimeve në QKMF-në e Obiliqit detyron qytetarët të marrin shërbime në rrethinë

Ndonëse në maj të vitit 2024 ka filluar rinovimi dhe mbindërtimi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq, ato ende nuk kanë përfunduar. Derisa qytetarët ankohen për zvarritje të punimeve, ata tregojnë se shërbimet shëndetësore detyrohen t’i marrin në Milloshevë apo Prishtinë. Aspekti financiar, mungesa e fuqisë punëtore e kushtet klimatike po konsiderohen…

Lajme

30/01/2025 11:55

Ndonëse në maj të vitit 2024 ka filluar rinovimi dhe mbindërtimi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq, ato ende nuk kanë përfunduar. Derisa qytetarët ankohen për zvarritje të punimeve, ata tregojnë se shërbimet shëndetësore detyrohen t’i marrin në Milloshevë apo Prishtinë.

Aspekti financiar, mungesa e fuqisë punëtore e kushtet klimatike po konsiderohen shkaktarët e vonesës së kryerjes së punimeve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë familjare në këtë komunë.

Zvarritje të punimeve, ka vërejtur edhe Xhevahire Krasniqi, e cila tregon për vështirësitë në marrjen e shërbimeve shëndetësore përgjatë kësaj kohe.

Ajo thotë se në mungesë të shërbimeve stomatologjike për shkak të rinovimeve në QKMF i duhet të shkojë në Milloshevë apo vende të tjera.

“Shumë ngadalë. Afërsisht ka një vit që kanë filluar rinovimet. Jo vetëm për mua, por për çdo qytetarë ka pengesa. Lart është stomatologjia, stomatologjinë e kanë dërguar në Milloshevë. Jo të gjithë mund të shkojnë në Milloshevë… Prej që kanë filluar punimet sidomos prej se është ftohur koha punimet janë të zvarritura. S’ka punime, nuk po bëhen punime… Sinqerisht kam menduar se shumë më shpejt do të bëhet rinovimi… (Sa shpesh vjen këtu për të marrë shërbime?) Shumë shpesh, sepse unë jam qytetare e Obiliqit këtu, qoftë për fëmijë apo për vete, ose ndonjë udhëzim dhe e kam vërejtur se ngadalë ka shkuar rinovimi. Mendoj se brenda kanë mundur të punojnë edhe dimrit”, shprehet Krasniqi.

Edhe Enver Gjukatani po e pret me padurim finalizimin e rinovimeve në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare në Obiliq.

Ai tregon se për shkak te rinovimeve, i duhet të shkojë në Prishtinë për trajtim.

“Po shumë shpesh na bie, por kërkojmë që sa më shpejtë të rinovohet kjo sepse nuk po kemi edhe ku t’i kryejmë shërbimet. Po shkojmë në Prishtinë…Po shohim që sa më shpejtë kjo të rregullohet mos të kemi punë atje, por t’i kryejmë këtu shërbimet tona për t’i kryer…Shpresojmë të ndërtohet dhe të rregullohet më shpejt. Vjet, në mot ka filluar të rinovohet, por ende s’janë kryer. Nuk e di a nuk kanë kushte apo çfarë, po presim me padurim të kryhet më shpejt”, thotë Gjukatani.

Shukri Mjekiqi shpreh nevojën për finalizimin e rinovimeve dhe zgjerimin e objektit të QKMF-së, sepse thotë se “kushtet nuk janë edhe aq të mira”.

“Po shumë shpesh më bie sepse nënën e kam goxha të moshuar. Më bie goxha shpesh të vije për infuzione dhe injeksione. Si iu duken kushtet në QKMF? Nuk e di çfarë të them, nuk janë edhe aq të mira. Ka nevojë të rinovohet, të zgjerohet. Vitin e ka shkuar, goxha herët në qershor më duket, ose më herët që kanë filluar rinovimet, por ende nuk është ndërtuar. Është e nevojshme të zgjerohet më shumë, sepse ka nevojë… Në Prishtinë janë shumë më të mira (kushtet), e këtu pak është ndërtuar? Ka nevojë të ndërtohen sa më shpejtë që mos të ketë nevojë të shkojmë në Prishtinë apo tjera vende”, thotë Mjekiqi.

Këto rinovime janë në kuadër të një projekti që përfshihet edhe mbindërtimi, donacion ky në vlerë 400 mijë euro nga një familje bamirëse nga Katari përmes organizatës jo qeveritare “Qëndresa Kosovare”. Derisa 110 mijë euro prej tyre janë paraparë të ndahen nga buxheti i komunës.

Drejtori i organizatës “Qëndresa Kosovare”, Islam Cakaj përmes telefonit thotë se shkak i zvarritjes së punimeve është mungesa e fuqisë punëtore dhe vonesa në deponimin e mjeteve.

Sipas tij, punimet pritet të rifillojnë në dy javët e ardhshme.

“Tani është koha ftohtë, firma e ka ndalur punën për momentin. Zvarritje ka pasur është e vërtetë për arsye se mungesa e fuqisë punëtorëve, shumë po kanë problem firmat realisht…Familja nga Katari a i ka deponuar mjetet? Mos pyetni çka nuk bënë me pyet…Një prej arsyeve është që akoma lekët (paratë) nuk i kemi të gjitha. Kanë ardhur pjesa e parë e lekëve kemi punuar, ka qenë pjesa e dytë e lekëve rrugës, është dashur të ndalet pak. Kanë ardhur edhe ato. E presim veç kohën dhe të vazhdojmë tutje…Me firmën ka fol, ka krijuar një staf të ri. Mendoj që për dy javë besoj që startojmë”, thotë Cakaj.

Nga 110 mijë euro, Komuna e Obiliqit ka ndarë gjysmën e tyre për këtë projekt dhe gjysmën tjetër pritet ta deponojë me buxhetin e vitit 2025.

“Komuna jonë këtë projekt në këtë rindërtimin participon më 110 mijë euro. Ndërsa, pjesën tjetër e financon ‘Qëndresa Kosovare’ përmes fondacioneve të siguruara nga shteti i Katarit… Pse nuk ka shkuar procesi përpara? Marrëveshja është që në vitin 2024 dhe 2025 të përfundohet ky projekt. Është projekt dy vjeçar. Ne kemi paguar një pjesë të pjesës tonë të pagesës prej 55 mijë euro. Tani prapë i paguajmë edhe 55 mijë euro me buxhet të këtij viti. Mendojmë që deri në fund të shtatorit ky objekt do të jetë i gatshëm për ofrim të shërbimeve shëndetësore…Ne kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të rritet dinamika, por nuk është rritur. A është dhënë arsye pse? Për shkak të fondit, për shkak të mjeteve. Sepse ‘Qëndresa Kosovare’ duhet të investojë 390 mijë euro. Pengesa është tek pjesa tjetër e fondit”, thotë nënkryetari nënkryetari Ibush Mjekiqi.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, Haki Jashari potencon se për shkak të kushteve klimatike dhe arsyeve të tjera punimet janë ndërprerë disa herë.

Përveç ndërtimit të vrazhdë, Jashari tregon se duhet bërë izolimi i kulmit, vendosja dhe ndërrimi i dritareve dhe punimet e tjera brenda objektit.

Ai thotë se pritet që punimet të finalizohen në qershor apo korrik të vitit 2025.

“Në mënyrë solemne (punimet) kanë filluar në mars, por punimet kanë filluar më vonë. Pastaj kushtet klimatike. Që në fillim projekti është paraparë që të përfundojë deri në vitin 2025… Pritet sivjet të përfundojë… [Po thoni që rinovimi në mënyrë solemne ka filluar në muajin mars, por thatë se kanë filluar më vonë, kur?] Diku në maj veçse kanë filluar punimet. [Çka është punuar deri më tash?] Ndërtimi i vrazhdë është punuar në total… Ka mbetur izolimi i kulmit, dritaret dhe punët brenda që duhet të bëhen”, potencon Jashari.

Ndryshe nga Cakaj, Jashari thekson se rinovimet pritet të rifillojnë në mars të këtij viti.

“Një rinovim veçse ka qenë sipërfaqësor. Meqenëse çështja e demolimit të katit të sipërm ka hasur në disa probleme të ndërtimit, ngase ka qenë një numër i madh i shtyllave, përafërsisht 60 shtylla. Kështu që është vonuar sa i përket heqjes së kulmit dhe pjesës së nën kulmit. Kështu që shpresojmë se në mars do të fillojnë punimet dhe të vazhdojnë diku deri në qershor apo korrik (2025) të funksionalizohet në tërësi QKMF-ja”, thekson Jashari.

Përveç këtyre, Jashari thotë se ka pasur ndërprerje të rinovimeve disa herë nga shtatë deri në 10 ditë që prej kohës kur ato kanë filluar.

“[Prej se kanë filluar rinovimet nga muaji maj deri më tash a ka pasur ndërprerje të punimeve?] Po, kohë pas kohe ka pasur, me intervale kohore 7 deri në 10 ditë, që kanë qenë për shkak të punës, dinamikës mes kompanive, varësisht se cila ka qenë angazhuar…7 deri në 10 ditë ka ndodhur një herë të ketë ndërprerje apo më shumë? Po, ka qenë disa herë…Ka qenë edhe elementi financiar, por siç e di e kanë tejkaluar atë çështje me furnizues”, shton ai.

Projekti i mbindërtimit të QKMF-së përfshinë hapësirën prej 1 mijë e 650 metra katrorë.

Ndër të tjera, drejtori i QKMF-së, Haki Jashari tregon se mesatarisht rreth 500 pacientë marrin shërbime në këtë qendër brenda 24 orëve.