Zvarriten punimet në pikën kufitare me Maqedoninë, nuk hapet deri në shtator

Ndonëse ishte paraparë që të hapej në muajin gusht, pika kufitare e përbashkët mes Kosovës dhe Maqedonisë se Veriut nuk pritet të hapet të paktën deri në shtator të këtij viti.

Lajme

18/08/2019 15:39

Ky projekt që pritet të funksionalizohet në shtator të këtij viti kishte dështuar disa herë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ai i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar vunë gurthemelin e këtij objekti kufitar në qershor të viti 2018.

Zyrtarë të dy shteteve atë kohë siguruan se në janar të vitit 2019 pika kufitare Bellanoc-Stançiq do të hapej, por as pas shtatë muajsh një gjë e tillë nuk ndodhi.

E si duket kjo nuk do të ndodhë as në muajin gusht kur edhe është paraparë që të hapet.

Në ministrinë e Punëve të Brendshme kanë deklaruar për lajmi.net se punimet në këtë pikë kufitare pritet që të përfundojnë në gusht dhe se deri në shtator shpresojnë se do të bëhet hapja e kësaj pike.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj ka thënë për lajmi.net se ende nuk kanë përfunduar punimet.

“Me 28 përfundojnë punimet, faktikisht duhet të përfundojnë. Sipas kontratës me kompaninë kontraktuese punimet duhet të përfundojnë më datë 28 Gusht 2019. Pastaj janë procedurat protokollare, ajo se kur organizohet hapja e pikës. Në shtatorë besojë, me 28 gusht faktikisht dorëzohet edhe në shtatorë po besojë derisa të rregullohet agjenda dhe çështjet protokollare”, ka thënë Xhemajlaj.

Shuma e përgjithshme e projektit kap vlerën e 1.2 milionë euro të siguruar nga Bashkimi Evropian. Në ditën e vënies së gurthemelit në qershor të vitit të kaluar u tha se projekti pritet të përfundojë në fund të 2018.

Kjo pikë është ndërtuar në konceptin e menaxhuar të kufirit, me një pikë të përbashkët kufitare.

Faza e parë përfshin udhëtarët dhe automjetet dhe në të ardhmen e afërt do të ketë mundësi edhe për transportin e mallrave. /Lajmi.net/