Zogaj i LDK-së reagon ndaj ftesës së Kurtit: Kosova s’ka nevojë për qeveri me pazare
Deputeti i sapozgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka reaguar ashpër pas ftesës që kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes (LVV), Albin Kurti, i drejtoi kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku për konsultime para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Zogaj ka akuzuar Kurtin për hipokrizi politike dhe e ka cilësuar ftesën…

Lajme
Deputeti i sapozgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka reaguar ashpër pas ftesës që kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes (LVV), Albin Kurti, i drejtoi kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku për konsultime para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Zogaj ka akuzuar Kurtin për hipokrizi politike dhe e ka cilësuar ftesën e tij si një shfaqje dëshpërimi, pas një mandati që sipas tij, është ndërtuar mbi ndarje dhe përçarje.
Sipas deputetit të LDK-së, Kurti edhe gjatë fushatës e më pas, ka ndarë qytetarët dhe aktorët politikë në “të mirë” dhe “të këqij”, duke ndjekur një qasje përjashtuese që ka dëmtuar frymën demokratike dhe unitetin në vend.
“Sot ai e ka sjellë veten dhe qeverisjen e ardhshme në pozitën më të dobët të mundshme, ku varet nga kushdo që është i gatshëm të bëj pazar me të”, tha Zogaj, duke sugjeruar se Kurti tashmë po kërkon mbështetje të fragmentuar për të siguruar një shumicë parlamentare.
Deputeti i LDK-së theksoi se Kosova ka nevojë për një qeveri që bashkon dhe qeveris me dinjitet, jo për një qeveri që mbijetojnë nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta politike.
“Kosova NUK ka nevojë për qeveri që mbahet në këmbë me pazare, por për lidership që bashkon, dëgjon dhe qeveris me dinjitet”, përfundoi Zogaj.
Reagimi i tij vjen në një moment kur konfigurimi i ri i Kuvendit të Kosovës mbetet ende i paqartë dhe negociatat për krijimin e institucioneve të reja pritet të intensifikohen në ditët në vijim.