Zogaj flet për aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit: Skandal i paprecendentë, një person privat si Ridvan Muharremi ka negociuar kontrata

Sot, përmes një konference për media, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj ka folur në lidhje me ngritjen e aktakuzës për ministren në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdarin në lidhje me rezervat shtetërore. Ai ka thënë se ky nuk është një rast thjesht administrativ por rast që prek sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin…

Lajme

13/11/2025 15:37

Sot, përmes një konference për media, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj ka folur në lidhje me ngritjen e aktakuzës për ministren në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdarin në lidhje me rezervat shtetërore.

Ai ka thënë se ky nuk është një rast thjesht administrativ por rast që prek sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin institucional të Kosovës.

“Prokuroria e Kosovës ka theksuar përmes aktakuzës se në këtë rast është shkaktuar dëm prej rreth 3 milionë eurove në buxhetin e Kosovës dhe ky dëm përfshin rritjen artificiale të çmimit të grurit, rreth 200 euro mbi çmimin e tregut në atë kohë, sasi të padorëzuara të mallit pra vajit dhe sheqerit, kontrata të paligjshme të transportit të këtyre mallrave që e tejkalojnë kontratën origjinale, dhe pagesa 100% me avanc e që është tërësisht në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe praktikat e vendit.  Kemi të bëjmë me favorizim të kompanive, me çmime të fryra dhe procedurë tërësisht të mbyllur që njihet si procedura me negocim, e që në këtë rast është tërësisht në kundërshtim me ligjin e prokurimit por edhe ligje të tjera.  Në këtë kontratë të negociuar që ne e quajmë edhe kontratë sekrete, çmimi i negociuar i grurit ishte 483 euro për ton kurse çmimi real i tregut në atë kohë sipas të dhënave të doganës ishte 290 euro për ton, pra dallimi i çmimit për ton ishte diku rreth 183 euro për ton e që dëmi total i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit është rreth 2 milionë euro në tërësi vetëm nga ky element i kontratës. Në kontratë gjithashtu kemi të bëjmë me kompani të favorizuara të cilat as nuk i kanë plotësuar kushtet minimale për të ofertu për këto produkte. Njëra nga to ka qenë kompani e ndërtimit por normalisht të lidhura ngushtë me njërin nga të pandehurit, Ridvan Muharremin.  Operatorët vendor janë eliminuar nga gara pavarësisht plotësimit të kushteve dhe ofertës më të favorshme ekonomike.  Kemi të bëjmë me mallra të padorëzuara, që nuk kanë arrit asnjëherë në vendin tonë. Rreth 60 tonë grurë mungojnë në tërësi e të paguara në avancë. 272 mijë euro vlerë në vaj e sheqer nuk janë dorëzuar fare dhe nuk kanë arritur kurrë në vendin tonë. 672 mijë euro transport i paguar në kundërshtim me kontratën, përtej kontratës edhe pse është paguar njëherë përmes çmimit të kontraktuar është paguar dyfish për transportin”, ka thënë Zogaj duke përmendur veprat penale të specifikuara në këtë aktakuzë..

Ai ka thënë se në vendimmarrjen shtetërore janë përfshirë persona privat, shkruan lajmi.net.

“Një person privat si Ridvan Muharremi ka negociuar këto kontrata, ka zgjedhur operatorët ekonomik, ka marrë dokumentet e brendshme institucionale që konsiderohen sekrete shtetërore dhe i ka nda në grupe në Whatsapp të krijuara nga vetë ministrja. Ky është një nivel i pastër i kapjes së procesit të furnizimeve strategjike shtetërore, prej personave privat që janë jashtë institucioneve dhe ky përbën një rrezik të paparë të sigurisë kombëtare të vendit tonë.  Këtu kemi të bëjmë edhe me zbulim të fshehtësisë zyrtare në këtë aktakuzë. Prokuroria thotë në aktakuzë se Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara kanë zbuluar fshehtësitë zyrtare shtetërore. Ata i kanë dërguar një personit privat në këtë rast Ridvan Muharremit, vendndodhjen e depove të rezervave shtetërore, planin vjetor të furnizimit të rezervave shtetërore, sasitë e mallrave strategjike që janë rezerva shtetërore dhe dokumente tjera konfidenciale për rezerva shtetërore. Të gjitha këto informacione që janë sekrete shtetërore, janë nda përmes Whatsappit dhe një email-i zyrtar që theksohet në aktakuzë e që është [email protected]. Një proces i paparë dhe i paprecendentë deri më tani, ky shtet po na bëhet Whatsapp-shtet”, ka thënë Zogaj. /Lajmi.net/