ZKA: Dështime serioze në prokurimin e Ministrisë së Mbrojtjes – mungesë kontrolli dhe shkelje ligjore në miliona euro kontrata
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin vjetor të auditimit për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025, ku evidentohen mangësi të rëndësishme, sidomos në fushën e prokurimit publik. Edhe pse pasqyrat financiare të ministrisë kanë marrë opinion të pamodifikuar, që nënkupton se ato paraqesin në mënyrë të saktë gjendjen financiare, ZKA ka dhënë opinion…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin vjetor të auditimit për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025, ku evidentohen mangësi të rëndësishme, sidomos në fushën e prokurimit publik.
Edhe pse pasqyrat financiare të ministrisë kanë marrë opinion të pamodifikuar, që nënkupton se ato paraqesin në mënyrë të saktë gjendjen financiare, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për pajtueshmërinë me ligjet për shkak të shkeljeve të identifikuara në disa procese kyçe.
Gjetja kryesore e raportit lidhet me procedurat e prokurimit publik dhe është cilësuar si çështje që ka ndikuar drejtpërdrejt në konkluzionin e përgjithshëm të auditimit, transmeton lajmi.net.
Auditorët kanë konstatuar se në nëntë kontrata, menaxherët e kontratave nuk kanë përditësuar në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale të dhënat në sistemin elektronik të prokurimit. Sipas raportit, pagesat dhe informacione të tjera të rëndësishme nuk janë regjistruar siç kërkohet në modulin e menaxhimit të kontratave në E-prokurim, gjë që bie ndesh me rregulloren përkatëse të KRPP-së.
Po ashtu, në gjashtë procedura prokurimi me vlerë mbi 500 mijë euro, Ministria e Mbrojtjes nuk ka përgatitur dhe publikuar njoftimin paraprak, siç kërkohet me Ligjin për Prokurim Publik. Ky njoftim është i detyrueshëm për të rritur transparencën dhe për t’u mundësuar operatorëve ekonomikë përgatitje më të mirë për tenderët e mëdhenj.
ZKA thekson se këto probleme vijnë kryesisht si pasojë e mungesës së kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes së dobët, si dhe ndryshimeve të shpeshta të menaxherëve të kontratave, të cilat kanë ndikuar në vazhdimësinë e menaxhimit të proceseve.
Sipas raportit, këto mangësi kanë ndikuar në menaxhim joefektiv të kontratave, pasi drejtuesit nuk kanë pasur informacion të plotë dhe në kohë reale për pagesat dhe progresin e tyre. Gjithashtu është ulur niveli i transparencës në prokurimet e mëdha dhe është rritur rreziku për vonesa, shkelje procedurale dhe mungesë të konkurrencës së drejtë.
ZKA i ka rekomanduar Ministrisë së Mbrojtjes që të sigurojë regjistrimin në kohë reale të të gjitha të dhënave në E-prokurim, përfshirë edhe pagesat, si dhe që menaxheri i prokurimit të zbatojë në mënyrë të rregullt publikimin e njoftimeve paraprake për kontratat me vlera të mëdha, me qëllim rritjen e transparencës dhe konkurrencës.
Ministria e Mbrojtjes nuk pajtohet me këto gjetje dhe në përgjigjen zyrtare ka argumentuar se prokurimet në fushën e mbrojtjes kanë specifika të veçanta dhe rregullohen me rregullore të veçanta për prokurime për qëllime të mbrojtjes. Ajo thekson se planet e prokurimit publikohen në E-prokurim dhe në faqen zyrtare të institucionit, ndërsa vonesat në përditësim lidhen kryesisht me ndryshimet e shpeshta të stafit, edhe pse dokumentacioni fizik ekziston.
Megjithatë, ZKA ka mbajtur të pandryshuara gjetjet dhe rekomandimet e saj, duke theksuar se arsyetimet e Ministrisë nuk e eliminojnë shkeljen e konstatuar në zbatimin e ligjit.
Përveç çështjeve në prokurim, raporti përfshin edhe disa gjetje të tjera. Ministria ka shpenzuar 201.8 milionë euro, ose 96 për qind të buxhetit final. Janë evidentuar gjithashtu rreth 2.87 milionë euro pagesa të papaguara për kujdestari të pjesëtarëve të FSK-së, nënvlerësim në menaxhimin e barnave dhe pasurive në vlerë prej 116,758 euro, si dhe vonesa në inventarizim dhe në përmbushjen e kontratave.
Në total, raporti përmban gjashtë rekomandime, disa prej të cilave janë përsëritur edhe nga vitet e kaluara, ndërsa ZKA thekson nevojën për forcim urgjent të kontrollit të brendshëm dhe respektim më rigoroz të procedurave ligjore në prokurimin publik./lajmi.net/