Pak ditë nga dorëheqja e Gazmend Hoxhës, MPB hap konkursin për Drejtor të Policisë së Kosovës

Pak ditë nga dorëheqja e Gazmend Hoxhës i cili drejtoi Policinë e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Sipas njoftimit të MPB-së, ky  konkurs është hapur me datë 4 të këtij muaji dhe mbetet i hapur deri me 19.11.2026. Në këtë konkurs bëhet e…

Lajme

05/11/2026 12:46

Pak ditë nga dorëheqja e Gazmend Hoxhës i cili drejtoi Policinë e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të MPB-së, ky  konkurs është hapur me datë 4 të këtij muaji dhe mbetet i hapur deri me 19.11.2026.

Në këtë konkurs bëhet e ditur se ekziston mundësia për vazhdim të mandatit pas përfundimit të mandatit për çdo pesë vjetët vijuese nga autoriteti që e ka emëruar. Përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës thuhet se janë për menaxhim ekzekutiv ndërsa i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës, në përputhje me nenin 5 të ligjit për Policinë.

Tutje në konkurs janë përshkruar detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të drejtorit, kushtet ligjore për përzgjedhje dhe emërim, aftësitë dhe kompetencat profesionale që vlerësohen, dokumentet e nevojshme për aplikim, mënyra e aplikimit, afati për aplikim, procedura e përzgjedhjes dhe emërimit dhe informatat shtesë. Lidhur me këtë konkurs, Ministria e Punëve të Brendshme ka shkruar se siguron mundësi të barabarta dhe trajtim pa diskriminim gjatë procedurës së konkurrimit ndërsa ka inkurajuar gratë dhe burrat e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë nëse i plotësojnë kushtet e përcaktuara.

Gazmend Hoxha dha dorëheqje morale më 30 shtator 2026, nga kjo pozita për të cilën u emërua më 8 mars 2023.

Dorëheqja e tij erdhi në kohën kur në pah dolën dhjetëra neglizhenca si nga Policia, Prokuroria e gjyqësori në Pejë.

Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra, ndërsa ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës ka caktuar Fehmi Hotin, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.Sipas njoftimit të Qeverisë, vendimi për caktimin e Hotit është marrë pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në njoftimin e Qeverisë nuk është dhënë ndonjë arsye konkrete për dorëheqjen e Hoxhës, ndërsa ky zhvillim vjen pas një vargu suspendimesh në Policinë e Pejës.

Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës kishte njoftuar për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), lidhur me mënyrën se si ishte trajtuar rasti i Arlinda Zekajt.

Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, zyrtarë të tjerë udhëheqës, si dhe katër hetues policorë.Gazmend Hoxha pozita e të cilit ishte kolonel, ishte emëruar në krye të institucionit kyç të sigurisë në Kosovë, Policinë e Kosovë.

Në vend të Gazmend Hoxhës ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës,  është caktuar Fehmi Hoti./Lajmi.net/

Kush është Fehmi Hoti, tani ushtrues detyre i drejtorit të Policisë së Kosovës?