Zjarrfikësit e Kosovës me mungesë të teknikës dhe pa buxhet
Të shqetësuar me pozitën e shërbimit të zjarrfikësit dhe shpëtimit, kushtet e rënda të punës dhe pozitës në përgjithësi rreth organizimit dhe funksionimit të shërbimit, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, i është drejtuar sot me një letër publike, të gjitha institucioneve në Kosovë.

Lajme
Në këtë letër dërguar Kryeministrit Isa Mustafa, Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ministrit të financave, Avdullah Hotit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, zjarrfikësit shkruajnë për vështirësitë e tyre dhe kushtet në të cilat janë duke punuar.
Ata, thonë se asnjëherë nuk iu dha prioritet në zhvillimin, avancimin dhe përgatitjen e tyre, rritjen e gatishmërisë emergjente, që ata ta kryejnë misionin e tyre i cili është shpëtimi i jetës së njeriut dhe të mirave materiale, raporton KosovaPress.
“Gjendja e krijuar në këtë Shërbim ku asgjë nuk funksionon dhe askush nuk përkujdeset që kjo gjendje të tejkalohet, sepse zjarrfikësit thuaja janë pa përkujdesje institucionale. Zjarrfikësit nuk dihet se nga kush menaxhohen dhe kompetencë e kujt janë, kush duhet të kujdeset për organizimin e punës, kushtet e punës, pajisjet për punë dhe ruajtjes së shëndetit të tyre sepse profesioni i zjarrfikësve është profesion me rrezikshmëri të lartë. Vakumi institucional që është krijuar, sidomos nga viti 2012 sa i përket menaxhimit të shërbimit, ku as niveli qendror AME/MPB, dhe as ai lokal, (Komunat) nuk u angazhuan që të merren me përgjegjësitë që ju takojnë, të sigurojnë mjete buxhetore që ky shërbim të arsyetoj themelimin si Shërbim Emergjent i domosdoshëm për Qytetarët dhe siguri publike”, shkruhet në letrën publike të Sindikatës së Zjarrfikësve.
Përmes kësaj letre, zjarrfikësit kërkojnë që institucionet ta marrin seriozisht shqetësimet e tyre dhe të angazhohen që ky shërbim të trajtohet ashtu edhe siç e meriton.
“Gjendja në këtë shërbim është shumë e rëndë dhe e pa kuptimtë, pa kushte për punë, pa teknikë të mjaftueshëm. Ne nuk e kuptojmë se si do të funksionoi ky Shërbim në vitin që vijon pa mjete buxhetore, mjete të cilat në vazhdimësi mungojnë, prandaj investimi në shërbimin e zjarrfikësve është investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë e të mirave materiale”, thuhet më tutje në letrën e zjarrfikësve.
Zjarrfikësit shpresojnë në reflektim të institucioneve, dhe ky shërbim të ketë edhe buxhetin e vetë, i cili do t’u mundësojë kushte normale për punë.