Zjarr në majat e Sharrit, në 2500 metra lartësi – terreni i paarritshëm, ekipet përdorin dronë për ta monitoruar flakën

Ekipet kompetente kanë dalë në terren për të inspektuar nga afër zonën ku ka shpërthyer zjarri në Parkun Kombëtar “Sharri”, nën majën e Vrtopit, në një lartësi prej rreth 2 mijë e 500 metrash mbi nivelin e detit. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se në terren janë Drejtori i Emergjencave dhe…

Lajme

10/09/2026 10:17

Ekipet kompetente kanë dalë në terren për të inspektuar nga afër zonën ku ka shpërthyer zjarri në Parkun Kombëtar “Sharri”, nën majën e Vrtopit, në një lartësi prej rreth 2 mijë e 500 metrash mbi nivelin e detit.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se në terren janë Drejtori i Emergjencave dhe Sigurisë, Sead Arifi, së bashku me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Njësisë së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe të paarritshëm, ekipet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së zjarrit.

Si masë shtesë, është angazhuar edhe një ekip për vëzhgimin e terrenit me dronë, për të monitoruar situatën dhe për të ndihmuar në menaxhimin e zjarrit.

Totaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura.

“Sjellja e papërgjegjshme rrezikon natyrën, pyjet dhe jetën e pasurinë e banorëve, si dhe është e dënueshme”, ka theksuar Totaj. /Lajmi.net/