Zhytësit e FSK-së në Ujman- KFOR-i konfirmon se i dha autorizim FSK-së për të shkuar në veri, bazuar në arsye humanitare
Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) që të vendosë ekipe të Kërkim-Shpëtimit në zonën e liqenit të Ujmanit/Gazivodës, njofton KFOR. “Autorizimi, i bazuar në arsye humanitare, është dhënë në përputhje të plotë me të drejtat dhe kompetencat e Komandantit të KFOR-it,…

Lajme
Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) që të vendosë ekipe të Kërkim-Shpëtimit në zonën e liqenit të Ujmanit/Gazivodës, njofton KFOR.
“Autorizimi, i bazuar në arsye humanitare, është dhënë në përputhje të plotë me të drejtat dhe kompetencat e Komandantit të KFOR-it, me qëllim maksimizimin e përpjekjeve në vijim për të lokalizuar dhe rikuperuar një burrë 33-vjeçar që dyshohet se është mbytur në liqen, disa ditë më parë. Ky autorizim është i kushtëzuar me kërkesa dhe kufizime specifike të vendosura nga KFOR, i cili gjithashtu do të sigurojë sigurinë gjatë gjithë operacionit”.
“Përdorimi i ekipeve të SAR të FSK-së bie brenda mandatit origjinal të FSK-së, që përfshin mbështetjen ndaj komuniteteve lokale, në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë jehonë shkuarjes së FSK-së në veri të vendit për një angazhim të saj për të gjetur një trup të pajetë të një 33-vjeçari, i cili dyshohet se është mbytur të dielën pasdite në Liqenin e Ujmanit, në Zubin Potok.
Sipas partisë të parë në vend FSK, ka shkuar për herë të parë në veri të vendit, nën shoqërimin e KFOR-it për të ndihmuar në gjetjen e trupit të pajetë.
“FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit. Njësitet e specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Që nga e diela, personi i cili është raportuar se është hedhur nga ura, po kërkohet nga ekipet e Policisë së Kosovës, ato të kërkim-shpëtimit si dhe njësitet zhytëse.
Deri më tani nuk ka rezultuar në gjetje të asnjë gjurme të tij./Lajmi.net/