Zhurma në objektet fetare pritet të rregullohet sipas modelit të Turqisë

Zhurma që krijohet nga pajisjet akustike të vendosura në objekte fetare pritet të rregullohet me akt nënligjor dhe jo me Ligjin për zhurmën.

Lajme

29/04/2014 10:19

Ajo pritet të ketë një trajtim të veçantë nëse katër komisionet e përhershme parlamentare e miratojnë rekomandimin që ka bërë Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, pas një vizite të zhvilluar në Turqi, shkruan Koha Ditore.

Në rekomandimin e tyre anëtarët e këtij komisioni kanë propozuar ndryshimin e paragrafit të dytë, të nenit katër të Projektligjit për zhurmën, në të cilin si zhurmë konsideroheshin edhe pajisjet akustike të objekteve fetare.

“Burime të zhurmës në mjedis konsiderohen trafiku rrugor, hekurudhor dhe ajror, duke përfshirë pajisjet për transport dhe infrastrukturë, pajisjet industriale, makineria e punës dhe e ndërtimit, pajisjet akustike të objekteve fetare, si dhe pajisje të tjera të cilat përdoren në hapësira të jashtme”, ka qenë përmbajtja e paragrafit të lartcekur.