“Zhdukja” e 166 mijë eurove, ish-arkëtari i BIK në Prishtinë po hetohet për mashtrim dhe keqpërdorim besim
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ish-arkëtarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, Bahri Rexha. Rexha po hetohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrim” dhe “Keqpërdorim i besimit”. Hetimet ndaj Rexhës kanë filluar pas hulumtimit të transmetuar nga “Betimi për Drejtësi” më 22 mars me titull “Ku u zhdukën 166…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ish-arkëtarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, Bahri Rexha.
Rexha po hetohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrim” dhe “Keqpërdorim i besimit”.
Hetimet ndaj Rexhës kanë filluar pas hulumtimit të transmetuar nga “Betimi për Drejtësi” më 22 mars me titull “Ku u zhdukën 166 mijë euro në Këshillin e BIK në Prishtinë”.
“Lidhur me çështjen PP.I.1260/2025 është filluar hetimi me datën 06.05.2025 ndaj të pandehurit B.R., në drejtim të veprave penale ”Keqpërdorim i besimit” nga neni 330 të KPRK-së dhe ”Mashtrimi” bazuar nga neni 323 të KPRK-së, si dhe Prokurori kompetent ka autorizuar Policinë DHKE-Prishtinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore penale juridike”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Betimi për Drejtësi” më 22 mars 2025 transmetoi emisionin “Ku u zhdukën 166 mijë euro në Këshillin e BIK në Prishtinë?”, i cili flet mbi dyshimet për keqpërdorim të qindra mijëra eurove në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Në hulumtim tregohet se për tre vjet me radhë të ardhurat e sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë si dhe qerave të objekteve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë dyshohet të jenë keqpërdorur.
Nga viti 2020 deri më 2022 paratë e BIK dyshohet të jenë tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të. Personit që po i drejtohet gishti t’i ketë përvetësuar qindra mijëra euro është Bahri Rexha, ish-arkëtar i Bashkësisë Islame për Prishtinë.
Shuma që BIK pretendon se është përvetësuar nga ish-arkëtari Rexha pretendohet të jetë 166 mijë euro, pasi fillimisht shuma pretendohej të jetë më e lartë.
Si rrjedhojë, Këshilli kishte themeluar një komision në përbërje të personave me njohuri në fushën e financave, i cili kishte kontrolluar faturat për periudhën 2020-2022. Pas këtij analizimi, llogaria doli se mungonin 166 mijë euro.
Ky raport i 6 qershorit 2023, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, pasqyron të gjitha pagesat dhe tërheqjet që dyshohet të jenë bërë nga arka dhe banka, pa nënshkrim të pranuesit të mjeteve apo pa përshkrim. Këto ishin bërë në emër të individëve privat e bizneseve.
Por, Bahri Rexha e mohon t’i këtë përvetësuar këto para. Ai arsyetohet se çdo faturë e ka vulën dhe nënshkrimin e eprorit të tij, kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Hetem Sopjani.
Një pjesë e parave të BIK dyshohet se u keqpërdorën duke lëshuar fatura fiktive. Raporti në vazhdimësi përmend një biznes për furnizim me dërrasa për varrim. Sipas raportit, për tre vjet me radhë kompania ishte paguar mbi 40 mijë euro më shumë.
Por, e vërteta pasqyrohet ndryshe nga bizneset. Biznesi në fjalë përmes një deklarate të dhënë pranë Bashkësisë Islame më 15 qershor 2023 të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thotë të jetë detyruar nga Rexha për t’i dhënë ryshfet në mënyrë që të vazhdohet porositja e dërrasave për varrezat tek ai, ose në të kundërt do t’i ndërpritej bashkëpunimin.
Në deklaratën e dhënë për BIK më 12 qershor 2023 të cilën po ashtu e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Përparim Bytyqi pronar i këtij biznesi, thotë se se biznesi i tij kishte qenë joaktiv, dhe nuk kishte qenë në dijeni të pagesave të bëra në emër të biznesit të tij.
Nën këto dyshime, Rexha fillimisht është suspenduar. Suspendimi është bërë në mars 2023. Ndërsa, nëntë muaj pas, përmes masës disiplinore, është larguar nga puna si arkëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë.
Por, për afër dy vjet, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur të fshehtë për institucionet e drejtësisë këtë vjedhje të pretenduar.
Përveç që Rexha dyshohet për zhdukjen e 166 mijë eurove të sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë dhe të hyrave nga qeratë e lokaleve, edhe kryetari i këshillit, Hetem Sopjani, mund të ketë konsumuar veprën penale “moslajmërim i veprës penale apo kryerësve të tyre”.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të zhvillojë intervistë edhe me kryetarin Sopjani, mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur shkresës elektronike, shkrimeve në rrjete sociale a as thirrjeve telefonike. E pas një muaj pritje, kur Sopjani është hasur në rrugë, sërish i shmanget ballafaqimit me argumentet duke e quajtur ndaljen e tij joetike.
Mirëpo, pas gjithë këtyre, Rexha ka hedhur akuza të tjera ndaj drejtim të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava dhe kryetarit të Këshillit të BIK në Prishtinë, Sopjani. Rexha pretendon se në vitin 2022 për motive personale myftiu Tërnava t’i ketë kërkuar njëherë 20 mijë e më pas 15 mijë euro para cash nga arka e Këshillit të BIK në Prishtinë.
Më 24 mars 2025, ish-arkëtari Rexha, bashkë me avokatin e tij, Kastriot Feka, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Kallëzimi penal u paraqit kundër: Hetem Sopjanit- kryetar i Këshillit të BIK në Prishtinë, myftiut Naim Tërnava- Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Idriz Xhigollit- zëvendëskryeimam i BIK, Pajazit Tërnavës- kryetar i BIK në Fushë-Kosovë, Adhurim Nuredinit, Përparim Bytyqit dhe Granit Berishës.
Avokati Feka kishte bërë të ditur se kallëzimi penal u dorëzua lidhur me keqpërdorimet që janë kryer në BIK, veçanërisht zbardhjen e fakteve për 166 mijë eurot e zhdukura, për të cilin rast raportoi “Betimi për Drejtësi” më 22 mars.
Sipas kallëzimit penal, Hetem Sopjani dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Ushtrim ndikimi”, Naim Tërnava dhe Idriz Xhigoli dyshohen për “Ushtrim ndikimi”, kurse Pajazit Tërnava për “Ushtrim ndikimi”, ndërsa Adhurim Nuredini, Përparim Bytyqi dhe Granit Berisha për “Deklarim të rremë”.