​Zhbllokimi i krizës politike, në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Sytë dhe veshët janë drejtuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e krizës politike në Kosovë. Institucioni më i lartë juridik në vend shihet si drita në fund të tunelit për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Partitë politike deklarojnë se janë në pritje të vendimmarrjes nga Kushtetuesja lidhur me…

Lajme

01/06/2025 16:00

Sytë dhe veshët janë drejtuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e krizës politike në Kosovë. Institucioni më i lartë juridik në vend shihet si drita në fund të tunelit për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Partitë politike deklarojnë se janë në pritje të vendimmarrjes nga Kushtetuesja lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

Pas 24 dështimeve radhazi për t’i zgjedhur trupat e Kuvendit, në shoqërinë civile, thonë se një aktgjykim sa më i shpejtë nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje mund t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.

Megjithatë, në Gjykatën Kushtetuese thonë se janë ende duke shqyrtuar lëndën, e cila është dorëzuar nga dhjetë deputetë të AAK-së, PDK-së dhe LDK-së, më 12 maj.

Kuvendi edhe katër muaj pas zgjedhjeve, nuk është konstituar. Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Që nga 1 maji, Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul që votimi i kandidates së saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të bëhet me votim të fshehtë, pasi e njëjta ka dështuar të zgjidhet në këtë pozitë me votim të hapur gjashtë herë.

Deputetja e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, Jeta Statovci, thotë se votim i fshehtë për kryeparlamentarin vetëm sa do të forconte demokracinë.

Andaj sipas saj është urgjente që kushtetuesja të merr një vendim sa më shpejt.

“Disa parti politike kanë bërë një ujdi që destruktivitetin dhe pamundësimin e krijimit të institucioneve ta kenë strategji politike. Këto parti kanë marrë këto qëndrime nga lart poshtë, që do të thotë se disa persona kanë imponuar autoritetin e tyre brenda tyre dhe po u bëjnë presion deputetëve, madje edhe disa pjesëtarëve të pakicave, që të mos ndjekin vullnetin e tyre të lirë si deputetë, por t’i nënshtrohen strategjisë së tyre destruktive. Për të dalë nga kjo situatë, votimi i fshehtë do të forconte demokracinë e Parlamentit dhe lirinë e deputetit. Prandaj është e rëndësishme që sa më parë të kemi një sqarim nga Kushtetuesja për këtë situatë, për të ecur përpara pas refuzimit për bashkëpunim që ka sjellë bllokadë. Kuvendi ka 120 deputetë dhe ata duhet t’u japin llogari vetëm votuesve dhe Kushtetutës, jo inateve të liderëve dhe grupeve të ngushta të interesit”, thotë ajo në një përgjigje me shkrim.

Optimist se Gjykata Kushtetuese mund t’i japë drejtim bllokadës në Kuvend, është edhe deputeti PDK-së, Ferat Shala, i cili shton se si parti do ta respektojnë çdo vendim që do të marrë ajo.

“Presim që Gjykata Kushtetuese, në një afat optimal, të sqarojë të gjitha çështjet që kemi ngritur në kërkesën e dërguar si subjekte politike. Do të dëshironim që Gjykata Kushtetuese – dhe besoj se do të ndodhë – të japë një orientim të qartë dhe të plotë për shkeljet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në seancat e përsëritura të Kuvendit të Kosovës. Në çfarëdo rrethane, ne si PDK dhe si deputetë nuk i kemi kontestuar dhe nuk i kontestojmë vendimet e Gjykatës”, thekson Shala.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur për KosovaPress, se është në proces shqyrtimi të kërkesës së AAK-së.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni publik. Përkitazi me kërkesën e lartcekur, Gjykata, brenda afatit të përcaktuar, ka pranuar komente nga: (i) parashtruesit e kërkesës; (ii) Abelard Tahiri, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës; dhe (iii) Saranda Bogujevci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në një përgjigje me shkrim të sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula.

Në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) shprehen skeptikë për një vendim të shpejtë të Gjykatës në lidhje me situatën në Kuvend. Hulumtuesi Vullnet Bugaqku thotë se, për marrjen e një vendimi, Gjykata ka afat 60 ditë nga momenti i dorëzimit të kërkesës dhe se, përveç komenteve, ajo pritet të trajtojë edhe vlerësimin e Komisionit të Venecias.

“Gjykata Kushtetuese, në momentin që pranon kërkesën në fjalë, sipas Rregullores së Punës, ka afat që brenda gjashtëdhjetë ditësh të japë një aktgjykim mbi rastin në fjalë. Meqenëse deri tani kanë kaluar më shumë se dy javë nga dorëzimi i kërkesës, nuk pres që gjykata brenda një afati shumë të shpejtë të nxjerrë vendimin. Proceduralisht, përveç pranimit të komenteve, Gjykata do të shqyrtojë dhe trajtojë edhe vlerësimet e Komisionit të Venecias. Besoj se do të kërkojnë opinionin nga ky Komision për çështjen e procedurës së votimit të fshehtë gjatë një seance konstituive. Gjykata mund të konsultojë dhe shqyrtojë praktikat parlamentare të shteteve të Bashkimit Evropian dhe mund të marrë për bazë edhe vendime të ngjashme të Gjykatave Kushtetuese të tjera, thotë ai.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet 24 herë me radhë, ndërsa aktualisht ngërçi ka mbetur te formimi i Komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. /kp