Zgjerohen hetimet për rastin e BKS-së, 21 të dyshuar të rinj dhe 35 prona të ngrira

Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet për rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), duke përfshirë edhe 21 persona të tjerë. Sipas Prokurorisë, me zgjerimin e hetimeve, numri i përgjithshëm i personave të pandehur në këtë rast ka arritur në 69, transmeton lajmi.net. Të dyshuarit, të gjithë punëtorë të BKS-së,…

Lajme

01/09/2026 15:58

Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet për rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), duke përfshirë edhe 21 persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë, me zgjerimin e hetimeve, numri i përgjithshëm i personave të pandehur në këtë rast ka arritur në 69, transmeton lajmi.net.

Të dyshuarit, të gjithë punëtorë të BKS-së, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”, sipas nenit 330 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se të pandehurit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë.

Sipas Prokurorisë, shumat për person kanë variuar nga 2 mijë deri në 53 mijë euro, ndërsa veprimet e reja të dyshuara kanë shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh ndaj BKS-së.

Personat e dyshuar janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Paralelisht me hetimin penal, Prokuroria ka zhvilluar edhe hetim financiar në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiare të Policisë së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe sigurimit të pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale.

Si rezultat i këtyre veprimeve, janë sekuestruar dhe ngrirë 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe garazhe. Sipas Prokurorisë, këto prona lidhen me tre nga të pandehurit kryesorë në këtë rast.

Po ashtu, është urdhëruar ngrirja e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.

Në fazën fillestare të hetimit, dëmi ndaj BKS-së ishte vlerësuar në rreth 1 milion e 43 mijë euro, ndërsa me zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e veprimeve të reja të dyshuara, kësaj shume i janë shtuar edhe rreth 200 mijë euro.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale për personat ndaj të cilëve do të vërtetohet përfshirja në veprimet e kundërligjshme.

Institucioni ka theksuar se gjatë procedurës do të respektohen të drejtat e të pandehurve dhe parimi i prezumimit të pafajësisë.

Njoftimi i plotë:

Zgjerohen hetimet ndaj 21 personave dhe ngrihen 35 parcela në rastin e BKS 

Prizren, 01 Shtator 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren, në vazhdimësi të njoftimit të datës 08 janar 2026 lidhur me aksionin e zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për hetimin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), njofton opinionin publik se hetimet në këtë rast kanë vijuar intensivisht dhe janë zgjeruar më tej.

Në kuadër të veprimeve të ndërmarra gjatë hetimit, më datë 01.09.2026, Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet ndaj njëzet e një (21) personave të pandehur, punëtorë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, nën dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”, nga neni 330 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke e quar në 69 numrin e të pandehurve, në këtë çështje penale.

Nga veprimet e deritanishme hetimore ekziston dyshimi se këta të pandehur, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të të hollave pa mbulesë, në vlera që variojnë nga 2,000 euro deri në 53, 000 euro për person, duke shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë, nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Zëvendëskryeprokurorin, si dhe një prokuror nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren, krahas hetimit penal, ka zhvilluar në mënyrë paralele edhe hetimin financiar me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiar të Policisë së Kosovës, me qëllim të identifikimit, gjurmimit dhe sigurimit të pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale dhe përfitimet e realizuara nga aktiviteti i kundërligjshëm.

Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore dhe financiare, sot janë sekuestruar dhe ngrirë gjithsej 35 prona, duke përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese, të cilat ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet kriminale që kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme Prokuroria në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjences Financiar, ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.

Me veprimet e identifikuara në fazën fillestare të hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj BKS-së ishte vlerësuar në vlerë rreth 1,043,000 euro, ndërsa me zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e veprimeve të reja të dyshuara, është evidentuar edhe një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro.

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave për të cilët do të vërtetohet përgjegjësia penale.

Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, si dhe në mbrojtjen e pasurisë dhe interesit publik, duke respektuar në çdo fazë të procedurës të drejtat e të pandehurve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë./lajmi.net/