Zgjedhjet lokale, KQZ refuzon 28% të aplikimeve për votim jashtë Kosovës
Nga 23 korriku kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi periudhën e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, deri sot në ora 09:00 KQZ-ja ka pranuar 1 mijë e 729 aplikime, nga të cilat janë aprovuar 1 mijë e 239. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për RTK-në…

Lajme
Nga 23 korriku kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi periudhën e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, deri sot në ora 09:00 KQZ-ja ka pranuar 1 mijë e 729 aplikime, nga të cilat janë aprovuar 1 mijë e 239.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për RTK-në se periudha e aplikimit do të zgjasë deri më 29 të këtij muaji, derisa ka treguar arsyet pse refuzohet një aplikues.
Por, zëdhënësi i KQZ-së ka thënë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës nuk është përjashtues. Kjo, pasi që, sipas tij, një aplikues i refuzuar mund të riaplikojë pasi t’i ketë plotësuar kriteret e kërkuara nga KQZ-ja.
“Në rastet kur refuzohet një aplikim, ky nuk është refuzim përfundimtar. Në këto rrethana, KQZ do të informojë rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, sqaroi tutje Elezi.
Por, në komunat ku potencialisht mund të ketë balotazh, a duhet të bëhet sërish regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës?
“Jo”, tha zëdhënësi Elezi i cili sqaroi se për balotazh do të vlejë regjistrimi i votuesve për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, të drejtën e votës jashtë Kosovës e kanë vetëm votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit dhe të atyre komunave në të cilat do të organizohet rrethi i dytë. Pra, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, sepse do të vlejë lista e njëjtë e votuesve”, tregoi ai.
Ka ripërsëritur se në zgjedhje lokale, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë vetëm përmes postës.
“Ky ligj specifikon qartë se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këto lloj zgjedhjesh. Pra, do të ketë vetëm votim me postë dhe për këtë KQZ-ja do të hap kuti postare në shtete të ndryshme, ku do të mund të dërgohet pako me fletëvotime”, tha Elezi.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shtuar se deri më 29 gusht të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi për regjistrim, duhet të jetë individual dhe mund të bëhet: përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.