Zgjedhjet lokale afër, Presidentja Osmani fton në takim partitë për dekretimin e datës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani  ka ftuar në takim subjektet politike për nesër për të konsultuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve lokale. Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, i cili tha se Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për…

Lajme

03/06/2025 11:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani  ka ftuar në takim subjektet politike për nesër për të konsultuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve lokale.

Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, i cili tha se Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjeherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, ka thënë Kupina.

Teksa ky takim vjen në një kohë kur dinamika politike në nivel lokal ka filluar të intensifikohet, ndërsa disa komuna po përballen me vakume institucionale.

Kjo pasi tash e një muaj vendi është pa një qeveri të votuar, ndryshe dje ka dështuar seanca e 25-të me radhë, kjo pasi partitë opozitare nuk kanë pranuar të votojnë komisionin për votim të fshehtë.

Konstituimi i Kuvendit është bërë një problematikë serioze në vend, pasi që të gjitha seancat po dështojnë.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për kryekuvendare, Albulena Haxhiun, kandidate kjo e cila nuk po arrin të marr votat e mjaftueshme për këtë pozitë.

Tashmë “lëvizjet”, kanë filluar tek partitë politike të cilët edhe po i bëjnë publik emrat e kandidatëve për kryetar komune, ku zgjedhjet lokale priten të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur dje se në mbledhjet e këshillave të përgjithshëm të degëve të AAK-së në Klinë dhe Suharekë, janë propozuar për mandate të reja dy kryetarët aktual, Zenun Elezaj në Klinë dhe Bali Muharremaj në Suharekë.

“Për kohën që iu dha besimi Aleancës për të qeverisur Klinën, në krye me prof. Zenun Elezaj, kësaj komune i ofruam një qeverisje për t’u marrë shembull, që shpeshherë është përmendur si model edhe nga qytetet e tjera. Kryetari, prof. Zenun Elezaj, me ekipin e tij të përkushtuar, i ka dhënë shtytje të jashtëzakonshme zhvillimit dhe përparimit të komunës,” shkroi Haradinaj.

Poashtu edhe nga partitë tjera politike pritet që së shpejti të publikohen listat me emrat final.

Kosova ka mbetur pa institucione të formuara dhe kjo po shihet si një problematikë serioze si nga të gjitha partitë politike por edhe nga ndërkombëtarët, të cilët po kërkojnë formim sa më të shpejtë të institucioneve. /Lajmi.net/