Zgjedhjet e pjesshme për 5 bashki të Shqipërisë, dorëzohen 13 kandidatura
Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Shqipërisë ka njoftuar se janë dorëzuar gjithsej 13 kandidatura për të garuar për drejtimin e 5 bashkive – Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme më 9 nëntor. Kandidatët për bashkitë Vlorë dhe Berat i kanë dorëzuar dokumentet në KQZ, ndërsa kandidatët për Tepelenën, Cërrikun…
Lajme
Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Shqipërisë ka njoftuar se janë dorëzuar gjithsej 13 kandidatura për të garuar për drejtimin e 5 bashkive – Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme më 9 nëntor.
Kandidatët për bashkitë Vlorë dhe Berat i kanë dorëzuar dokumentet në KQZ, ndërsa kandidatët për Tepelenën, Cërrikun dhe Matin i kanë dorëzuar në KZAZ-të përkatëse.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme fillon më 1 nëntor, ndërsa akreditimi i vëzhguesve vendas dhe të huaj do të përfundojë deri më 7 nëntor.
Bashkia Vlorë – 3 kandidatë: Dionis Sota, kandidat i pavarur, i mbështetur edhe nga Partia Demokratike (PD), Brunilda Mersini, e propozuar nga Partia Socialiste (PS), Gjergj Nika, kandidat i pavarur, më parë pjesë e strukturave të PD.
Bashkia Berat – 2 kandidatë: Pavlo Shkarpa, kandidat i pavarur i mbështetur nga PD dhe Ervin Ceca, nënkryetar i bashkisë, propozuar nga PS, aktualisht drejtues i bashkisë pas dorëheqjes së Ervin Demos.
Bashkia Tepelenë – 2 kandidatë: Gabriel Guma, kandidat i pavarur dhe Gramoz Sako, propozuar nga PS.
Bashkia Cërrik – 3 kandidatë: Florenc Doka, propozuar nga PS, aktualisht drejtues i bashkisë pas largimit të Andis Salla dhe Eligert Hima, propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur i mbështetur nga PD
Bashkia Mat – 3 kandidatë: Altin Bojni, propozuar nga PS, aktualisht drejtues i bashkisë, Eduart Brahilika, kandidat i pavarur i mbështetur nga PD dhe Suzana Pasha, kandidate e pavarur.
Zgjedhjet në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik mbahen për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive.
Tirana nuk do të mbajë zgjedhje të pjesshme më 9 nëntor, pasi Kushtetuesja ka anuluar dekretin e presidentit Bajram Begaj, pasi Erion Veliaj ankimoi shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj u shkarkua nga Këshilli i Ministrave pas kërkesës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, me arsyetimin se kishte munguar në punë. Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit 2025i nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.