Zgjedhje të reja në dimër? KQZ: Sfidë, por do të veprojmë sipas mandatit kushtetues
Ende pa u mbyllur procesi i zgjedhjeve lokale, kanë nisur spekulimet nëse vendi do të hyjë edhe në një proces tjetër zgjedhor, por kësaj radhe për Kuvendin e Kosovës. Deri më 26 tetor është afati kur mandatari për formimin e Qeverisë së re së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje,…

Lajme
Ende pa u mbyllur procesi i zgjedhjeve lokale, kanë nisur spekulimet nëse vendi do të hyjë edhe në një proces tjetër zgjedhor, por kësaj radhe për Kuvendin e Kosovës.
Deri më 26 tetor është afati kur mandatari për formimin e Qeverisë së re së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet të paraqesë kabinetin e tij qeverisës dhe të votohet në Kuvend.
Nëse kjo nuk arrihet, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja për nivelin qendror për herë të dytë brenda një viti.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress, se ky institucion aktualisht është i përqendruar në përmbylljen e zgjedhjeve lokale dhe organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
Sipas tij, KQZ-ja nuk përfshihet në debatin politik mes subjekteve politike, por mbeten të përkushtuar për të përmbushur detyrimet kushtetuese.
“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar në përmbylljen e procesit të Zgjedhjeve Lokale, përfshirë shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, në ato komuna ku asnjë kandidat nuk arrin të fitojë 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme. KQZ nuk komenton deklaratat politike apo paralajmërimet nga liderët politikë. Megjithatë, ashtu si çdoherë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore, në çdo moment kur një proces zgjedhor shpallet në mënyrë zyrtare”, tha Elezi.
Pavarësisht gatishmërisë në KQZ pranojnë se shkuarja në zgjedhje të reja në nivel qendror do të përbënte sfidë për stafin e këtij institucioni.
“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, tha Elezi.
Përndryshe, aktualisht janë duke u numëruar votat e diasporës dhe votat për disa kuvende komunale. Ndërsa, balotazhi për dhjetëra komuna do të mbahet më 9 nëntor.