Zëvendësministrja Gashi takohet me homologun e Kolumbisë, diskutohet për hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Kolumbi. Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se Gashi u prit në Pallatin San Carlos nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas. Siç bëhet e ditur gjatë takimit, zëvendësministrat bënë një…

Lajme

09/09/2024 09:26

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Kolumbi.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se Gashi u prit në Pallatin San Carlos nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas.

Siç bëhet e ditur gjatë takimit, zëvendësministrat bënë një analizë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbyen pikëpamje për tranzicionin energjetik dhe ndryshimet klimatike, vizionet për sigurinë njerëzore, shkëmbimet akademike dhe kulturore, bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, si dhe për bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave në angazhimin e diasporës.

“Pikë kryesore e takimit ishte hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi”, thuhet në postim.

Zëvendësministri Rojas e falënderoi zëvendësministren Gashi për vizitën dhe shprehu gatishmërinë e Kolumbisë që t’i zgjerojë më tej marrëdhëniet e mira mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe intensifikimit të shkëmbimeve diplomatike.

“Hapja e Ambasadës tregon për angazhimin e Kosovës në këtë hemisferë të botës dhe nevojën për një prani më të madhe jo vetëm në Kolumbi, por edhe në gjithë Amerikën Latine. Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/