Zëri i mijëra shqiptarëve u dëgjua në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup më 2025, bashkë për lirimin e krerëve të UÇK-së
Rrugët, qendrat kryesore e bulevardet e pesë qyteteve të mëdha janë mbushur gjatë këtij viti me ngjyrat kuq e zi e me zëra që kërkojnë drejtësi për ata që e sollën lirinë. Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, u organizuan pesë protesta të përmasave të mëdha, me mijëra protestues në secilën prej tyre, u…
Lajme
Rrugët, qendrat kryesore e bulevardet e pesë qyteteve të mëdha janë mbushur gjatë këtij viti me ngjyrat kuq e zi e me zëra që kërkojnë drejtësi për ata që e sollën lirinë.
Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, u organizuan pesë protesta të përmasave të mëdha, me mijëra protestues në secilën prej tyre, u kërkua drejtësi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në kulmin e temperaturave të larta, më 7 gusht të këtij viti, në Prishtinë, përkrahësit e luftës për lirinë, luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare, tentuan t’i “hapin sytë” e Gjykatës Speciale në Hagë, në gjykimin që po e bën ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në protestën, që u organizua nga kategoritë e dala nga lufta, morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga vendet e rajonit.
Organizatorët e protestës dhe folësit e tjerë kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jopadrejtësi”. Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga “pushtuesit te çlirimtarët”. Po ashtu u tha se drejtësia selektive prodhon padrejtësi.
Ndërkaq pas protestës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se “kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”.
Gjatë protestës, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, tha para protestuesve se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së.
Sipas tij, Specialja po e deformon historinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë gjykatë si “kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës”.
Gucati shtoi se Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.
“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.
Gucati përsëriti qëndrimin se veteranët besojnë në drejtësi “por nuk duam padrejtësi”.
Folës në protestë ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Gjatë fjalimit para protestuesve, Ali Ahmeti, që ka qenë pjesë e UÇK-së, bëri thirrje liri për ish-krerët e UÇK-së.
Ai tha se ata po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.
“Sot kërkojmë të drejtën tonë, UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, për liri, për çlirim nga pushtimi. Ajo i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare të luftës. Nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë civilë, gra, fëmijë, apo pleq”, tha Ahmeti.
Sipas Ahmetit, Serbia po bën gjithçka që përmes gjykatës në Hagë “të zhbëjë shtetin e Kosovës”. Në këtë drejtim ai përmendi se Gjykata ka marrë prova materiale nga Serbia.
“Ky model i drejtësisë selektive, nuk sjellë drejtësi universale, por narrativ që zhvendos fajin nga pushtuesit te çlirimtarët”, tha Ahmeti.
Gjatë fjalimit, ai kërkoi nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës, mbi pretendimet e të cilës u krijua Gjykata Speciale.
“Shpifje monstruoze, idioteske se gjoja UÇK-ja ka bërë trafikim organesh, përpara së vërtetës dështuan të gjithë antishqiptarët që përgatitën një dosje të verdhë për të komprometuar historinë më të lavdishme të shqiptarëve: UÇK-në”, tha Ahmeti.
“Nuk pranojmë që historia të shkruhet nga të huajt, aq më pak nga një Gjykatë që nuk është kompetente për këtë dhe që i ka humbur integriteti”, shtoi ai.
Ish-hulumtuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp e nisi fjalimin në Prishtinë me sloganin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ky slogan, sipas saj, nuk është thjesht slogan, “por realiteti i dhimbshëm që ju po përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet ajo duhet të ketë legjitimitet”.
Ajo tha se gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi.
Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi tha se “besuan se do të ketë drejtësi”.
“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre…Ata luftuan dhe fituan”, tha Tromp.
Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe eksponentë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se protesta është “dhjetë vjet e vonuar” pasi në kohën kur është themeluar Gjykata është dashur që të protestohet kundër “pushtetit të atëhershëm”.

Përveç Prishtinës, një numër pothuajse edhe aq i madh i njerëzve, u mblodhën më 14 shtator në Hagë të Holandës, vendin ku është e vendosur Gjykata Speciale.
Protesta e 14 shtatorit u thirr nga mërgata shqiptare dhe u mbështet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, që kishte shërbyer në Kosovë në kohën kur u themelua Specialja, tha se atëbotë ishte udhëzuar nga Qeveria e tij të bënte presion që të themelohej kjo gjykatë.
Bosch u tha protestuesve se nuk i pëlqente kjo ide “sepse më dukej e pakuptimtë që serbët të mos gjykoheshin nga kjo gjykatë, por e bëra punën time”.
“Më kujtohet kur e takova Thaçin, ai ishte i shqetësuar. Por, i thash nuk ke pse të shqetësohet sepse gjykimi është i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave”, tha Bosch.
Ai tha se UÇK-ja ishte çizmja e NATO-s në terren dhe kritikoi akuzën e bërë nga Prokuroria e Specializuar që i cilëson ish-krerët e UÇK-së si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
“Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është ofendim i madh për NATO-n sepse NATO-ja nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, tha ai.
Protesta në kryeqytetin holandez u mbajt në një park që gjendet afër selisë së Dhomave të Specializuara.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se nga Haga i bën thirrje Evropës që “të mos lejohet që drejtësia të shndërrohet në instrument politik”.
Sipas tij, UÇK-ja nuk luftoi asnjëherë për pushtet, por për liri.
“Drejtësia duhet të jetë e njëjtë”, tha ai, duke shtuar se serbët që kanë kryer krime “gëzojnë lirinë”.
“Drejtësi për çlirimtarët, liri për të drejtën tonë historike”, tha ai.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, njëherësh bashkëorganizatori i protestës, Fatmir Koci, tha se UÇK-ja nuk ishte as agresore e as pushtuese, por tha se sot ish-krerët e UÇK-së po gjykohen “me akuza të pabaza”.
“Nuk do të pranojmë asnjëherë këtë padrejtësi ndaj tyre”, tha ai.
Koci tha shteti serb ka kryer “krime të tmerrshme gjatë luftës dhe nuk ka dhënë asnjë llogari”.
Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës, pasi argumentoi se ajo “ka heshtur” dhe “nuk ka mbrojtur” shtetasit e saj.
“Specialja është mjet i padrejtësisë”, tha ai, duke shtuar se “kërkojmë hetim të drejtë e të paanshëm për krimet e kryera gjatë luftës. Kërkojmë drejtësi për ata që luftuan për lirinë tonë”.

Kërkesa për drejtësi, këtë vit nuk mbaroi me kaq. Mijëra njerëz u mblodhën më 17 tetor në kryeqytetin shqiptarë, në Sheshin “Skënderbej” të Tiranës, zëri i të cilëve arriti në të gjitha qytetet shqiptare dhe më gjerë.
Tubimi në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë filloi me himnin kombëtar shqiptar dhe me brohoritjet “UÇK, UÇK”, dhe mbaroi pas rreth një ore me thirrjet “Liri për çlirimtarët”.
Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin për drejtësi dhe për ta mbrojtur UÇK-në”.
“UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ishte ushtri çlirimtare, këtë e ka dëshmuar historia, populli, varret e dëshmorëve të kombit dhe bota mbarë, e cila i ka parë me sytë e vet krimet serbe në Kosovë”.
Gucati gjithashtu tha se protesta nuk ka të bëjë me politikë, por kjo është protestë “e popullit shqiptar në zemër të shqiptarëve”.
“Nga këtu i themi botës se Kosova ka luftuar për liri dhe çlirim, bijtë tanë të këtij kombi nuk ishin kriminelë. Proceset që po mbahen në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta”, tha ai.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, morën pjesë në protestë dhe mbajtën fjalime.
Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.
Protesta e së premtes është mbështetur edhe nga Qeveria e Shqipërisë, e cila vendosi ta heqë pagesën rrugën në autostradën “Rruga e Kombit” mes Kosovës dhe Shqipërisë për 24 orë, nga 17 deri më 18 tetor.
Disa komuna të Kosovës, përfshirë ato ndër më të mëdhatë sikurse Prishtina dhe Prizreni, mundësuan udhëtim falas me autobusë nga qytetet përkatëse drejt Tiranës për qytetarët kosovarë.
Sipas raportimeve, për këtë protestë udhëtuan edhe shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Por, kjo protestë nxiti edhe një përplasje mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Lëvizjes Vetëvendosje, partisë së kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti.
Në një reagim para protestës, Vetëvendosje tha se e mbështet protestën, por i kritikoi ata që tha se më 2015 e përkrahën themelimin e kësaj gjykate, duke marrë Ramën si shembull.
“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, shkroi Vetëvendosje në Facebook më 15 tetor.
Rama iu përgjigj asaj në X, duke thënë se nuk është në garë me Vetëvendosjen dhe se i vjen keq që ajo “po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë, me balotazhe komunale”.
Rama shtoi se, nëse “flasim për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo [Vetëvendosje] nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.
Më pas, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i reagoi Vetëvendosjes, duke e akuzuar se ajo po “përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe”.
“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë”, tha kjo organizatë më 16 tetor.

Kërkesa e qytetarëve për drejtësi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit nuk u ndal me këto protesta. Zëri i tyre u dëgjua dhe në Strasburg të Francës, aty ku ndodhet asambleja parlamentare të Këshillit të Evropës.
Më 16 nëntor 2025, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së bëri të ditur se ka dorëzuar 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me shqetësimet e tyre lidhur me procesin në Gjykatën Speciale.
Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, është shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në letrën drejtuar anëtarëve të Këshillit të Evropës në Strasburg, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, shprehi shqetësime të thella për mënyrën si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai theksoi se aktakuzat e vitit 2020 e paraqesin strukturën e UÇK-së si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, gjë që sipas tij përbën një tentim indirekt për të kriminalizuar luftën çlirimtare të Kosovës, me pasoja të rënda historike dhe politike.
Në përmbyllje të letrës, Gucati u bëri thirrje vendeve anëtare të marrin parasysh këto shqetësime dhe t’i komunikojnë ato në institucionet përkatëse shtetërore dhe ministritë e jashtme, në mënyrë që të sigurohet një qasje e drejtë, e balancuar dhe në frymë të drejtësisë për proceset gjyqësore që lidhen me Kosovën.
Protesta në Stasburg u tha nga organizatorët se i bën bashkë shqiptarët “aty ku nisi saga e padrejtë ndaj historisë sonë”.
Një raport i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendonte se udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99, kishin qenë të përfshirë në trafikim me organe.
Kjo, në vitin 2015, kishte çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë.

Por, për të përmbyllur ciklin e protestave për këtë vit, një numër shumë i madh i qytetarëve ia mësyu Shkupit më 13 dhjetor të këtij viti.
Ata u tubuan në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup mes brohoritjeve “UÇK, UÇK”, dhe valëvitjeve të flamujve kombëtarë shqiptarë dhe flamujve të UÇK-së.
Protesta kaloi pa ndonjë incident të raportuar dhe nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin”, dhe për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë”, për ish-krerët e UÇK-së.
“Ne sot, me këtë numër kaq të madh njerëzish… i tregojmë Trendafilovës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës buron, lind dhe vepron nga populli”, tha Gucati duke iu referuar Ekaterina Trendafilovës, kryetares së Dhomat të Specializuara të Kosovës në qytetin holandez.
Ai shtoi se UÇK-ja “u rrit dhe u mbrojt nga populli dhe sot populli i qëndron mbrapa asaj. Ne sot kërkojmë drejtësi. Kjo gjykatë i ngjan gjykatave të Serbisë dhe merret me fakte të falsifikuara dhe fabrikuara, të cilat nuk qëndrojnë”.
Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe politikanë nga Kosova, si Fatmir Limaj e Daut Haradinaj, morën pjesë në protestë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha më herët këtë javë se nuk do ta mbështeste protestën, por njoftoi se ishte formuar një shtab krize për ta vëzhguar të gjitha rrjedhën e tubimit 24 orë para dhe pas tij.
Megjithatë protesta u mbështet nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili vjen nga VLEN, partia shqiptare që është partnere e koalicionit qeverisës së Mickoskit.
Shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind apo një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut prej 1.8 milion.

Gjykimi në Hagë
Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.
Gjykimi ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023, tri vjet pasi ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje në qytetin holandez.
Tani, më shumë se dy vjet më vonë, gjyqi ndaj tyre po shkon drejt përfundimit, pasi mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e përfundoi paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve.
Në mbrojtje të dëshmuan në shtator ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Chris Hill, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.
Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-n.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.
Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.
Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.
Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.
Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve. /Lajmi.net/