Zemaj pas incidentit në Prishtinë: Një qytetar më ofendoi dhe më provokoi verbalisht – reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar sot pas raportimeve se ishte përfshirë në një përleshje fizike me një qytetar në qendër të Prishtinës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zemaj ka shprehur keqardhjen e tij për ngjarjen, duke theksuar se reagimi i tij ishte në afekt dhe nuk përfaqëson bindjet e…

Lajme

24/10/2025 16:40

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar sot pas raportimeve se ishte përfshirë në një përleshje fizike me një qytetar në qendër të Prishtinës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zemaj ka shprehur keqardhjen e tij për ngjarjen, duke theksuar se reagimi i tij ishte në afekt dhe nuk përfaqëson bindjet e tij personale apo parimet që përfaqëson si deputet dhe anëtar i LDK-së, transmeton lajmi.net.

“Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj,” shkruan Zemaj.

Ai ka theksuar se dhuna në çfarëdo forme nuk është përgjigje e drejtë dhe për këtë veprim ka kërkuar falje publike. Deputeti ka shtuar se kjo ngjarje do t’i shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë.

Postimi i plotë: 

Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qellim te caktuar, këtë do e vertetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike.
Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo, e imja është te mos reagoj me emocione.
Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin./lajmi.net/