Zemaj falënderon SHBA-të dhe USAID-in për dhurimin e 50 respiratorëve
Ambasada e Amerikës në Kosovë dhe USAID-i, i kanë dhuruar 50 respiratorë.

Lajme
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për dhurimin e 50 respiratorëve, shkruan lajmi.net.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Zemaj ka shkruar se në këtë kohë të vështirë me të cilën po përballet e gjithë bota, kjo ndihmesë e taksapaguesve amerikanë për popullin e Kosovës është dëshmi e solidaritetit mes popujve.
Lexo edhe:
Postimi i plotë i Zemajt, pa ndërhyrje:
SHBA vazhdon ta ndihmoj Kosovën
Në prani të ambasadorit të SHBA-së Philip Kosnett dhe znj. Lisa Mango drejtuese e USAID, Kosovës iu dhurua donacioni prej 50 ventilatorësh/respiratorësh, ndihmë kjo nga Ambasada e SHBA-ve dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Kjo është një mbështetje shumë e çmueshme në luftën kundër COVID-19 për çka jemi shumë mirënjohës.
Javë më parë kemi nënshkruar Marrëveshjen me USAID-in për këtë donacion.
Po ashtu para pak ditësh Ambasada Amerikane dhuroi donacionin me pajisje mbrojtëse profesionale për personelin shëndetësor nga Programi i Ndihmës Humanitare i Komandës Evropiane të SHBA. Këto janë kontribute të përkujdesit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes misioneve të saja civile dhe ushtarake i kanë ofruar në vazhdimësi sistemit tonë shëndetësor.
Në këtë kohë kur të gjithë popujt e botës po ballafaqohen me sfidën e pandemisë, solidariteti mes popujve dhe asistenca ndaj njëri tjetrit ka rëndësi të madhe, në veçanti kur popujt dhe shtetet e mëdha u zgjasin dorën e mbështetjeve shteteve më të vogla dhe me kapacitetet më të kufizuara.
Faleminderit Ambasadës së SHBA-ve! Faleminderit USAID! Faleminderit taksapaguesve amerikanë!
Mbani maska!
Lani duart!
Ruani distancën sociale!. /Lajmi.net/