Zemaj e konfirmon se po punohet që të ketë zgjedhje brenda LDK-së: Janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se i është bashkuar nismës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në të gjitha strukturat e partisë. Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Zemaj deklaroi se dega nga e cila vjen ka mbështetur në mënyrë unanime këtë kërkesë, ndërsa tha se deri më…

Lajme

09/07/2026 18:56

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se i është bashkuar nismës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në të gjitha strukturat e partisë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Zemaj deklaroi se dega nga e cila vjen ka mbështetur në mënyrë unanime këtë kërkesë, ndërsa tha se deri më tani janë mbledhur mbi 150 nënshkrime, transmeton lajmi.net.

“Unë i takoj një dege që ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në të gjitha strukturat e LDK. Jo vetëm që e kam nënshkru por janë më shumë se 150 nënshkrime që kërkojnë zgjedhje. Nuk kam njohuri a janë deponu”, tha Zemaj.

Ai zbuloi gjithashtu se gjatë mbledhjes së Kryesisë ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

“Gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së pati kërkesa që të mos ketë zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.

Çështja e organizimit të zgjedhjeve të brendshme ka qenë një nga temat e diskutuara në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së, ndërsa ende nuk ka një vendim zyrtar nga organet drejtuese të partisë./lajmi.net/