Zemaj akuzon VV-në: Rrëshqitje në anarki dhe kapje të shtetit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për “keqpërdorim të statusit të moshës”, duke thënë se Avni Dehari nuk ka autorizim të pafund për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit. Zemaj ka deklaruar se Dehari është kryesues i seancës së parë konstituive vetëm për shkak se është deputeti më i…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për “keqpërdorim të statusit të moshës”, duke thënë se Avni Dehari nuk ka autorizim të pafund për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
Zemaj ka deklaruar se Dehari është kryesues i seancës së parë konstituive vetëm për shkak se është deputeti më i vjetër, por, sipas tij, kjo nuk i jep të drejtë të pengojë procesin e konstituimit të legjislativit.
“Deputeti Dehari është kryesues i seancës së parë konstituive vetëm për shkak të moshës, si deputeti më i vjetër. Por kjo nuk do të thotë se ai ka një autorizim të pafund ligjor e kushtetues për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit”, ka shkruar Zemaj.
Deputeti i LDK-së e ka cilësuar të rrezikshme logjikën e moszbatimit të rregullave demokratike për shkak se ato nuk përmbajnë sanksione, duke kërkuar që një praktikë e tillë të mos shndërrohet në normë.
Sipas tij, thirrja dhe zhvillimi i seancës përbëjnë obligim kushtetues dhe nuk mund të varen nga vullneti politik i një deputeti.
“Thirrja dhe zhvillimi i seancës është obligim kushtetues për përmbushjen e vullnetit të dalë nga zgjedhjet e lira, e jo çështje e dëshirës apo e ‘vullnetit’ politik të një deputeti që keqpërdor një normë të Rregullores së Kuvendit”, ka deklaruar ai.
Zemaj ka kërkuar që seanca të thirret dhe Kuvendi të konstituohet, në mënyrë që t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.
“Seanca duhet të thirret, Kuvendi duhet të konstituohet dhe duhet t’i jepet mundësia formimit të institucioneve të reja. Përndryshe, kjo nuk është më demokraci, por rrëshqitje në anarki dhe kapje e shtetit”, ka theksuar Zemaj.
Ai ka paralajmëruar se normalizimi i një veprimi të tillë, sipas tij, nënkupton edhe normalizimin e mosrespektimit të ligjit dhe Kushtetutës.
“Çdo njeri nga ne që e lejon një veprim të tillë dhe e normalizon atë, në fakt po e normalizon edhe mosrespektimin e ligjit dhe të Kushtetutës”, ka përfunduar Zemaj.
Ndryshe, LVV-LDK janë ende të hapur për bisedime në përpjejke për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.
Vazhdimi i seancës konstituive është ndëprerë të shtunën me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë gjatë gjuajtjes me vezë të Albin Kurtit nga deputetja e Alenacës, Time Kadrijaj.