Zeka thotë se “Trepça dhe “Ferronikeli” u anashkaluan nga masat ndihmëse të Qeverisë

Gjendjes së rënduar së deficitit tregtar në vitet e pasluftës, pandemia i ka ndihmuar edhe më shumë që të thellohet kriza.

Lajme

28/10/2020 19:58

Kështu ka deklaruar drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, që tha se ndikimi edhe më negativ ka qenë në sektorin minerar dhe metalurgjik, dy ndërmarrjet më të mëdha që kanë edhe përqindjen më të madhe në totalin e eksportëve të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Zeka tha se dy qeveritë që u përballen me pandeminë nuk i ndihmuan përmirësimit të gjendjes së këtyre sektorëve me masa që s’u dizajnuan siç duhet për secili sektor.

“Masat gjithmonë kanë qenë të njëtrajtshme, kanë adresuar të gjithë sektorët në mënyrë të njëjtë pa i marrë në konsideratë specifikat e secilit. Për shembull në qeverisjen e kaluar u parapa që të ndihmohen bizneset që u afektuan direkt nga pandemia dhe këto dy kompani nuk u përmbushen ato kritere edhe pse u dëmtuan nga pandemia. Por, as nga qeveria e re nuk është dizajnuar ndonjë masë e re që në mënyrë specifike adreson nevojat e këtij sektori”.

Zeka në Info Magazine tha se moskalimi i Projektligjit në Kuvend është tejet e dëmshme për të gjitha bizneset në Kosovë.

“Ne edhe si Odë Amerikane ndajmë shqetësim të njëjtë me asociacionit e biznesit dhe vazhdimisht kemi kundërshtuar një qasje të tillë. Besojmë që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike është i fundit ku duhet të politizohet ose që palët të përplasen ose të marrin qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket këtij projektligji. Duhet të ketë një qasje më konsensuale, por kjo s’po ndodhë. Dhe derisa kjo nuk do të ndodhë ndërmarrjet si “Trepça”, “Ferronikeli” e të tjera vazhdojnë të ballafaqohen me vështirësi të tjera, ose e rrezikojnë mbijetesën, ose do të ketë humbje të vendeve të punës”.

Një bllokadë e re do të jetë e rëndë për ekonominë e brishtë të Kosovës, prandaj Zeka thotë se nuk do të ishte e rekomandueshme për Qeverinë.

Ai tha se Oda Amerikane ka propozuar që të vazhdohet me masa ndihmëse për bizneset duke marrë parasysh specifikat e tyre.