Zëdhënësi i Qeverisë: Kurti në javën e ardhshme nuk do të ketë takim me Vuçiqin

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka folur për vizitën e kryeministrit Albin Kurti, në Bruksel të Belgjikës.

Lajme

23/04/2021 19:00

Ai ka thënë se Kurti do të takohet më përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe nuk do të takohet me Aleksandar Vuçiq, presidentin e Serbisë.

“Kjo vizitë është planifikuar nga mesi i javës së ardhshme, është vizitë dy ditore. Z. Kurti do të takohet me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian. Paraprakisht është raportuar se kryeministri do të ketë një takim me Aleksandar Vuçiq, presidentin e Serbisë, kjo nuk është e saktë, Z. Kurti nuk do të ketë takim me Vuçiq”, tha Kryeziu për Klan Kosova.

Kryeziu ka theksuar se deri tani akoma nuk ka ndonjë datë të saktë se kur Kurti dhe Vuçiq mund të takohen sa i përket dialogut.

“E rëndësishme është vizita e kryeministrit Kurti që do të ketë në Bruksel, duhet t’i japim vëmendje për nga rëndësia që ka. Pra, është një vizitë që iu shërben marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe BE-së, si dy palë të interesuara për bashkëpunim. Për takime në lidhje me dialogun dhe me Vuçiqin nuk kam ndonjë informacion të konfirmuar, ato të gjitha do të jenë publike”, ka thënë Kryeziu.