Zbardhet e-maili i 23 tetorit | Si u injorua kërkesa e policit Sheremeti nga eprorët në Pejë, ku kërkohej patrullim ditor për Arlinda Zekajn para se të vritej
Një skandal i rëndë institucional ka shpërthyer pas tragjedisë së ndodhur më 25 tetor 2026 në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku mbeti e vrarë mizorisht me sopatë 49-vjeçarja Arlinda Sylaj Zekaj, shtetase e Kosovës dhe SHBA-së. Dokumente të reja zyrtare dëshmojnë se krimi mund të parandalohej dhe se rreziku ndaj saj ishte sinjalizuar qartë si…
Lajme
Një skandal i rëndë institucional ka shpërthyer pas tragjedisë së ndodhur më 25 tetor 2026 në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku mbeti e vrarë mizorisht me sopatë 49-vjeçarja Arlinda Sylaj Zekaj, shtetase e Kosovës dhe SHBA-së.
Dokumente të reja zyrtare dëshmojnë se krimi mund të parandalohej dhe se rreziku ndaj saj ishte sinjalizuar qartë si nga vetë viktima, ashtu edhe nga zyrtarët policorë të terrenit.
Paralajmërimi drithërues i viktimës
Tri ditë para se të vritej, më 22 tetor 2026, Arlinda Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Pejë. Në atë letër, ajo lëshonte një alarmi tronditës: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”. Viktima kërkonte ndihmë pasi ndihej plotësisht e pambrojtur përballë kërcënimeve të vazhdueshme.
Zyrtari policor kërkoi patrullim ditor, komanda e injoroi
Një ditë pas letrës së viktimës, më 23 tetor 2026, në orën 19:53:19, zyrtari i Policisë së Kosovës, Qëndrim Sheremeti, u dërgoi një e-mail me karakter urgjent eprorëve të tij dhe të gjithë zinxhirit komandues në Pejë.
E-maili, i publikuar nga gazetarja Albijona Hoxhaj, i drejtohej zyrtarit Faruk Muçolli, me CC për Faik Jahmurataj, Dervish Haxhijaj, Arlinda Gacaferi, Armend Qorraj dhe Merlinda Shala. Nën titullin “Kërkesë!”, zyrtari Sheremeti alarmonte për rrethanat acaruese brenda shtëpisë ku viktima ishte kthyer me Urdhër Mbrojtës të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë:
“Me anë të këtij email-i zyrtar ju drejtohem juve, të nderuar staf komandës që të bëni vlerësimin e kërkesës sime sa i përket personi Arlinda Sylaj Zekaj e cila është viktimë e dhunës në familje… Ashtu siq edhe jeni në dijeni se edhe mbrëmë ka pas rrethana dhe situatë acaruese brenda shtëpisë ku tani gjendet viktima…
Konsideroj se do ishte e nevojshme që tani kur viktima Arlinda Sylaj Zekaj gjendet në shtëpinë e saj të përbashkët me ish-bashkëshortin, që në baza ditore e njëjta të vizitohet nga një patrullë e uniformuar Policore, të ketë një komunikim me të mbi gjendjen dhe situatën në të cilën ndodhet ajo e po ashtu të na raportohet për çdo ndryshim,” thuhej në e-mailin e Sheremetit.
Kjo kërkesë emergjente u shpërfill nga drejtuesit e stacionit.

Mbrëmja fatale e 25 Tetorit
Më 25 tetor 2026, vetëm pak orë pasi Arlinda kishte qenë sërish në Stacionin Policor për të denoncuar dhunën, ajo u sulmua për vdekje me mjet të fortë (sopatë) brenda shtëpisë në rrugën “Man Dedushaj” në Vitomiricë. Për këtë krim makabër, organet e rendit kanë ndaluar kunatin e saj, Albert Sylaj (i dyshuar si kryes i veprës), si dhe ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj.
Suspendimi i 11 zyrtarëve policorë dhe reagimet
Pas zbardhjes së këtyre komunikimeve dhe neglizhencës fatale, Inspektorati Policor i Kosovës mori vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, përfshirë të gjithë stafin komandues që mori e-mailin dhe dështoi të organizonte patrullimin ditor për mbrojtjen e viktimës.
Ngjarja ka nxitur reagime të ashpra publike, protesta në Prishtinë e Pejë, si dhe thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku po kërkohet përgjegjësi penale për të gjithë zyrtarët e zinxhirit komandues që lanë të vetmuar viktimën përballë rrezikut të paralajmëruar./lajmi.net/