Zbardhet debati Frroku-Doshi në Prokurori: “Bëhu burrë Mark dhe trego të vërtetën”

Dy miqtë, Tom Doshi dhe Mark Frroku nuk janë parë në sy teksa janë ballafaquar para prokurorëve për pretendimet e tyre lidhur me skenarin për eliminimin e ish-deputetit socialist të Shkodrës.

Lajme

10/03/2015 10:48

Panorama ka zbardhur një pjesë të debatit të shkurtër mes dy deputetëve, ku sipas saj Mark Frroku i qëndroi dëshmisë së dhënë më parë, duke thënë se ajo çka ai mund të sqaronte ishte në përgjigjet e dhëna më parë në Prokurori.

Në këtë moment ka reaguar deputeti Tom Doshi duke i kërkuar mikut të tij të tregojë të vërtetën mbi ngjarjen. “Më ke marrë në telefon kur kam qenë jashtë shtetit në gusht, jam kthyer dhe jemi takuar. Bëhu burrë Mark, e thuaju të vërtetën”-mësohet të jetë shprehur Doshi.

Panorama shkruan se deputeti i Shkodrës u ka kërkuar prokurorëve të merrnin në pyetje edhe shoferin e tij, shtetasin Klodian Mema. Ky i fundit është parë të dilte nga makina e blinduar e deputetit Doshi që priste para Prokurorisë, rreth orës 14.15 dhe ka shkuar në zyrat e grupit të hetimit ku ka dhënë deklarime për më se një orë.

Sipas Prokurorisë, deputeti Doshi ka pretenduar se shoferi i tij ka qenë prezent në disa raste të bisedave që i zgjedhuri i Shkodrës ka bërë me kolegun e tij Mark Frroku në lidhje me Durim Bamin, personin që sipas Doshit, kishte marrë porosinë për vrasje.