Zagrebi i përgjigjet Beogradit pas marrëveshjes Kroaci-Shqipëri-Kosovë: Ka kaluar koha kur ju kemi pyetur, ajo s’kthehet më

“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhej ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë”, shprehet Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusic, në përgjigjen e tij për Ministrinë e Jashtme të Serbisë, e cila tha se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia dhe…

Lajme

19/03/2025 19:55

“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhej ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë”, shprehet Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusic, në përgjigjen e tij për Ministrinë e Jashtme të Serbisë, e cila tha se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia dhe Shqipëria që bashkë me Kosovën nënshkruan Deklaratën e Bashkëpunimit Trepalësh Ushtarak.

Ministri Anusic, ia bën me dije Serbisë se shteti i tij “do të nënshkruajë Deklarata me kë të dojë”.

“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë guxon të bëj dhe si duhet ta bëj, dhe kjo nuk do të përsëritet më kurrë. Kemi 35 vjet që jemi shtet i pavarur, kemi kaluar pesë vite agresion dhe politikë që mbrojti një narrativë të tillë. Kroacia do të nënshkruajë deklarata me kë të dojë dhe bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën është i fokusuar në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërmjet industrive ushtarake, mbështetjen për rrugën euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës…”, shkruan Anusic në rrjetin “X”.

Kosova, deklaratën mes tre shteteve e ka cilësuar si hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon. Por, reagim i ashpër erdhi dje nga Ministria e Jashtme e Serbisë duke u shprehur se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia e Shqipëria.

Në reagimin e bërë në rrjetin “X”, MPJ e Serbisë deklaroi, “do t’u dërgojë një kërkesë urgjente Ministrive të Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë për një shpjegim të detajuar në lidhje me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”.

Tutje, kjo ministri e quajti Serbinë si “garantues të paqes dhe neutralitetit ushtarak në Ballkan”, dhe kërkon përgjigje për natyrën dhe qëllimet e këtij bashkëpunimi të sigurisë.

“Është veçanërisht shqetësues fakti që kjo aleancë ushtarake po krijohet pa konsultim me Beogradin…. që paraqet kërcënim për sigurinë për popullin serb dhe mbarë rajonin”, thuhej në reagim.