Ymeri kërkon drejtësi për çamët

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka kërkuar që të hidhet dritë mbi padrejtësitë historike që janë bërë ndaj komunitetin çam të shqiptarëve.

Lajme

04/06/2016 21:11

Ai, në një publikim në Facebook, ku njoftoi se sot me një delegacion të Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë pjesë në Kongresin e Partisë Demokratike për Integrim dhe Unitet në Shqipëri, ndërlidhi çështjen e njohjes së vrasjes së armenëve në Luftën e Parë Botërore si gjenocid nga Bundestagu gjerman, me padrejtësitë e bëra ndaj çamëve.

“Me një delegacion nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, morëm pjesë në Kongresin e Partisë Demokratike për Integrim dhe Unitet në Shqipëri. Jemi dëshmitarë se si para disa ditësh Gjermania njohu gjenocidin armen, të ndodhur një shekull më pare. Pra, popujt e tjerë nuk harrojnë. As ne nuk duhet t’i harrojmë padrejtësitë që janë bërë mbi ne, e veçanërisht mbi çamët. Jo për të kërkuar hakmarrje por për të ndërtuar sigurinë se nuk do të na përsëriten më, dhe për të kërkuar vendosjen e një drejtësie të pranueshme për ato raste. Pa u vendosur drejtësia nuk mund të ketë fqinjësi të mirë e mirëbesim të ndërsjellë”, thuhet në publikimin e tij.